Një gjykatë apeli në Francë ka konfirmuar dënimin ndaj lideres së së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, për keqpërdorim të fondeve të Parlamentit Evropian, por ka shkurtuar periudhën e ndalimit të saj për të kandiduar në zgjedhje, duke i lënë një mundësi të kufizuar për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Gjykata e Apelit në Paris e ka dënuar Le Pen me tre vjet burgim, prej të cilave dy vite me kusht, ndërsa për një vit ajo do të jetë nën mbikëqyrje elektronike përmes një pajisjeje në kyçin e këmbës. Kjo masë mund ta vështirësojë ndjeshëm një fushatë të mundshme presidenciale.
Le Pen, e cila drejton partinë kundër emigracionit National Rally (RN), kishte deklaruar më herët se nuk do të kandidonte nëse dënimi do të përfshinte kufizime në lëvizje ose përdorimin e pajisjes elektronike të monitorimit.
“Nëse më lejohet të jem kandidate, por në praktikë më pengohet të bëj fushatë lirshëm, atëherë e kuptoni se kjo nuk do të ishte e mundur”, kishte thënë Le Pen.
Pas vendimit, pozicioni i saj për kandidaturën nuk ishte menjëherë i qartë. Ajo pritet të shqyrtojë situatën dhe të bëjë një deklaratë më vonë të martën, ndoshta përmes një interviste televizive, nëse do të garojë për postin më të lartë në Francë.
Gjykata ka vlerësuar se Le Pen, 57-vjeçare, kishte pasur rol qendror në një skemë me vende të rreme pune në Parlamentin Evropian, përmes së cilës ishin keqpërdorur fonde evropiane dhe ishin transferuar para për të financuar partinë e saj në Francë gjatë periudhës 2004–2016.
Përveç dënimit penal, ajo është gjobitur me 100 mijë euro. Ndalimi për të kandiduar në poste publike është ulur nga pesë vjet në 15 muaj, ndërsa pjesa tjetër e masës është pezulluar.
Në rast se Le Pen nuk mund të kandidojë, një alternativë për partinë e saj do të ishte Jordan Bardella, 30 vjeç, i cili aktualisht drejton aktivitetet e përditshme të RN-së. Bardella është konsideruar prej kohësh si pasuesi i mundshëm i Le Penit dhe ka qenë në gatishmëri për një kandidaturë të mundshme presidenciale.
Sondazhet e muajve të fundit kanë treguar se Bardella mund të arrijë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa disa anketa kanë treguar se mbështetja për të mund të jetë edhe më e lartë se ajo për Le Pen.
Nëse Le Pen nuk kandidon, zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të ishin të parat presidenciale në gati 30 vjet pa një kandidat nga familja Le Pen. Babai i saj, Jean-Marie Le Pen, kishte arritur në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2002.
Le Pen kishte synuar të kandidonte për herë të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, pas përfundimit të dy mandateve të presidentit Emmanuel Macron. Ajo është mposhtur dy herë nga Macron në raundin e dytë, në vitet 2017 dhe 2022, kur arriti të marrë mbi 41 për qind të votave.
Para vendimit të sotëm, Le Pen konsiderohej një nga favoritët kryesorë për zgjedhjet e vitit 2027. Megjithatë, në mars të vitit të kaluar, pas gjykimit të parë, ajo u shpall e papërshtatshme për kandidim për pesë vjet, pasi u gjet fajtore për keqpërdorimin e fondeve të Parlamentit Evropian.
Le Pen e kishte apeluar vendimin dhe gjatë procesit të ri gjyqësor kishte mohuar ekzistencën e një skeme të organizuar nga partia e saj. Ajo kishte deklaruar se nuk kishte ndjenjën se kishte kryer “asnjë krim”.