Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informata për të shtëna me armë në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prishtinë.

Këtë e bëri të ditur për Dukagjinin, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Me të marrë këtë informatë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa kanë bërë të ditur se nuk raportohet për persona të lënduar.

“Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, “hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të peronit të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e policisë”.