Një rast i ngacmimit seksual është raportuar të ketë ndodhur të martën e 18 tetorit në Komunën e Podujevës.

Edhe më të rëndë këtë rast e bëjnë faktet e mësuara nga RTV Dukagjini, të cilat thonë se i dyshuari për ngacmim seksual është babai, kurse viktima është vajza e tij e mitur.

Në lidhje me këtë rast, në një përgjigje për Rtv Dukagjin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje, si dhe prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimin ndaj tij.

Prokuroria nuk ka dhënë më shumë detaje për shkak të ndjeshmërisë së rastit, teksa ka njoftuar se është duke u trajtuar nga Departamenti për të Mitur.

“Lidhur me këtë rast, mund t’ju njoftojmë se fillimisht me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje një person i dyshuar, për shkak të veprave penale ‘Ngacmimi seksual’ dhe ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’, si dhe gjatë ditës së sotme, është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit në gjykatën kompetente. Meqenëse këtë rast është duke e trajtuar Departamenti për të Mitur, nuk mund të japim detaje të tjera”, ka thënë Ulaj.

Në raportin e tyre të përditshëm, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur gjatë ditës se i dyshuari është arrestuar nën dyshimet për sulm fizik e seksual ndaj viktimës, e cila mësohet se është e mitur.