Janë arrestuar të dyshuarit B.D dhe H.D, nën dyshimin se të njëjtit kanë futur në shërbim në postën e Rahovecit një shumë prej 7 mijë eurosh që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Përmes një komunikate, bëhet e ditur se është pranuar informatë nga zyrtarët e Postës së Kosovës se në postën kryesore në Rahovec, kishin hasur një shumë të monedhave metalike, të cilat dyshohet se ishin të falsifikuara. Të njëjtat, arrinin shumën prej 7 mijë eurosh.

“Hetuesit e NjRHKEK-Gjakovë, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, duke grumbulluar të dhëna se një shumë prej 7000 (shtatë mijë) €, dyshohet të falsifikuara, janë futur në shërbim në postën e Rahovecit. Policia ka arrestuar dy të dyshuar, B.D., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar, menaxher në postën në Rahovec) dhe H.D., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar). Në postë janë gjetur dhe konfiskuar, nën dyshimin se janë të falsifikuara, shuma e monedhave prej: 1362 X 2 =2 724 €, 970 X 1= 970 €, 1480 X 0.50=740€, gjithsej 4434 €. Po ashtu, dyshohet se 2566 € janë shpërndarë te qytetarë që kanë kryer shërbime në këtë postë, e të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve”, thuhet në komunikatë.

Krahas kësaj, bëhet e ditur se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

“Dy të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve mbrojtës, dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë mbi dyshimin e arsyeshëm se i dyshuarin B.D., ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe i dyshuari H.D., për ‘falsifikim të parasë’”, thuhet në njoftim.