Dyshohet se MUP-i i Serbisë po tenton të heqë qafe “topat zanorë” për të eliminuar provat e mundshme të protestës në Beograd

Beograd, 15 mars 2025. Top zanor (armë akustike) i vendosur në një automjet të policisë gjatë protestës studentore të quajtur "15 për 15", përpara Kuvendit të Serbisë. Në fotografi: Kuvendi i Serbisë, Policia, armë dhe protesta. Foto: Vesna Lalić / Nova.rs

Dyshimet se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë po përpiqet të heqë qafe pajisjet akustike LRAD, të njohura si “topa zanorë”, janë intensifikuar pasi ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, njoftoi se Serbia është e gatshme t’i shesë ato.

Përfaqësues të opozitës serbe e shohin këtë si një përpjekje për të eliminuar provat e mundshme lidhur me përdorimin e tyre gjatë protestës së studentëve të 15 marsit në Beograd.

Anëtari i Kryesisë së partisë Srbija Centar (SRCE), Petar Boshkoviq, deklaroi për gazetën Nova se njoftimi për shitjen e pajisjeve përbën, sipas tij, një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë.

“Ata duan t’i heqin qafe provat. Aleksandar Vulin, sa ishte ministër i Policisë, kishte tentuar ta ndryshonte Ligjin për Policinë, duke kërkuar që topi zanor dhe rrjeta për kapjen e njerëzve të futeshin në listën e mjeteve të detyrimit”, tha Boshkoviq.

Ai pretendoi se pajisjet LRAD janë blerë me çmime të larta, ndërsa tani synohet të shiten me rreth gjysmën e vlerës së tyre për t’i larguar nga posedimi i policisë.

Boshkoviq kërkoi kryerjen e një ekspertize teknike të pavarur për të verifikuar nëse një pajisje e tillë është përdorur gjatë protestës së 15 marsit. Sipas tij, analiza e funksionimit të sistemit mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.

Ai ngriti gjithashtu pyetjen se kush ka urdhëruar nxjerrjen e pajisjes në terren, duke përmendur drejtorin e Policisë, Dragan Vasiljeviq, dhe ish-komandantin e Xhandarmërisë, Sasha Kosoviq, ndërsa shtoi se përgjigjen për këtë, sipas tij, mund ta ketë vetëm ministri Daçiq.

Edhe nënkryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), avokati Aleksandar Olenik, tha se, sipas informacioneve jozyrtare, MUP-i serb disponon jo vetëm pajisje LRAD, por edhe sisteme të tjera akustike me origjinë ruse, të blera pak para fillimit të luftës në Ukrainë.

Sipas Olenikut, ekziston mundësia që këto sisteme të jenë modifikuar nga ekspertë të ushtrisë dhe policisë, prandaj vetëm një hetim profesional dhe një ekspertizë teknike mund të përcaktojnë se cila pajisje është përdorur më 15 mars, duke analizuar efektet te protestuesit, distancën, pozicionet dhe rrethanat e ngjarjes.

Ai kritikoi Prokurorinë për mosurdhërimin e një ekspertize të tillë, ndërsa kërkoi hetim edhe për procedurat e prokurimit të pajisjeve akustike.

Autoritetet serbe kanë mohuar vazhdimisht se gjatë protestës së 15 marsit është përdorur një “top zanor”. Megjithatë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka hapur hetime lidhur me pretendimet për përdorimin e mundshëm të një pajisjeje të tillë, duke deklaruar se po shqyrton edhe mundësinë që të ketë pasur një “simulim” nga organizatorët e protestës.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje disa persona që kanë folur publikisht për rastin, përfshirë analistin ushtarak Aleksandar Radiq, avokatin Aleksandar Olenik dhe gazetarin Dejan Zlatanoviq. Ndërkohë, ndaj Radiqit është raportuar se është kryer bastisje në banesë dhe se ndaj tij është ngritur kallëzim penal raporton N1 përcjell Dukagjini.

Shija e redaktorit

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika