Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit H.O., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Në njoftimin e prokurorisë, thuhet se i dyshuari H.O, fillimisht, i ka sulmuar me gurë dy personat e dëmtuar N.O dhe Z.O, pastaj e ka marrë sëpatën, ka hyrë në oborrin e viktimave dhe i ka sulmuar me sëpatë në kokë.

“Prokuroria njofton se, më 10 shtator 2022 në Rahovec, i pandehuri H.O., me dashje ka tentuar të privojë nga jeta dy persona, të dëmtuarit N.O. dhe Z.O. Derisa i dëmtuari N.O., ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, i pandehuri fillimisht e sulmon atë duke e gjuajtur me gurë, më pas merr sëpatën shkon në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarve, ku fillimisht dëmton automjetin e tyre, e pastaj, me sëpatë i sulmon të dy të dëmtuarit njërin pas tjetrit, duke i goditur në kokë, derisa ndërhynë vajza e të dëmtuarve e cila arrin që të pandehurit t’ia largon sëpatën”, thuhet në njoftim.

Pas lëndimeve të marra, viktimat janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

“Si pasojë e lëndimeve e dëmtuara Z.O., rrëzohet në tokë, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes. Të dëmtuarit janë dërguar për trajtim në emergjencën e Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, i pandehuri H.O dyshohet se me dashje e ka dëmtuar pasurinë e viktimave, duke e dëmtuar me sëpatë edhe automjetin e tyre.

“Gjithashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri H.O., me dashje dëmton apo bën të papërdorshme pasurin e të dëmtuarit N.O., ku në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit me sëpatën që ka pasur në duart e tij, godet dhe dëmton automjetin e të dëmtuarit duke i shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit H.O., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.