Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të dy punonjësve të Njësisë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.
Sipas njoftimit të Trepçës, vendimi është nxjerrë më 10 gusht dhe përfshin punonjësit me inicialet Z.R. dhe H.K.
Të dy punonjësit janë larguar përkohësisht nga puna, duke filluar nga 10 gushti, deri në marrjen e një vendimi nga Komisioni Disiplinor.
Sipas Trepçës, vendimi është marrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e dhëna, duke organizuar transportimin e xehes jashtë orarit të rregullt të punës.
Për këto veprime, ekziston dyshimi se janë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, në bazë të nenit 10, paragrafëve 1.1, 1.3 dhe 1.9 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Komisioni Disiplinor, i cili do të marrë vendimin përfundimtar lidhur me rastin.