E dënuara me vdekje në SHBA mbijeton pas dy injeksioneve vdekjeprurëse

E dënuara me vdekje në Tennessee të SHBA-së, Christa Pike, është dërguar në spital pasi ekzekutimi i saj me injeksion vdekjeprurës dështoi, edhe pse asaj iu administruan dy doza të pentobarbitalit.

Avokatët e Pike thanë se 50-vjeçarja ishte ende gjallë pas dy injeksioneve dhe se kishte humbur vetëdijen, por vazhdonte të kishte rrahje zemre dhe dëgjohej duke gërhitur.

Ekipi i saj ligjor paraqiti një kërkesë urgjente për ndalimin e ekzekutimit, ndërsa njëri prej avokatëve tha për BBC-në se Pike po merrte “masa për t’i shpëtuar jetën” në spital.

Ekzekutimi u zhvillua në institucionin korrektues të sigurisë së lartë Riverbend në Nashville, rreth orës 20:00 sipas kohës lokale të mërkurën, 30 shtator. Sipas Associated Press, Pike mori dy doza pentobarbital, ndërsa perdja e dhomës së ekzekutimit u mbyll dy herë. Më vonë, dëshmitarëve nga mediat iu kërkua të largoheshin.

Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995. Në kohën e krimit, Pike ishte 18 vjeçe. Ajo dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, e kishin takuar Slemmerin në një qendër trajnimi për të rinj me probleme, përpara se ta rrihnin, torturonin dhe vrisnin.

Pike ishte planifikuar të ekzekutohej më herët gjatë së mërkurës, por ekzekutimi u shty përkohësisht pas një vendimi të një gjykate federale të apelit. Më pas, Gjykata Supreme e SHBA-së e hoqi pezullimin, duke i hapur rrugë ekzekutimit.

Pas dështimit të ekzekutimit, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, tha se kishte urdhëruar një “rishikim gjithëpërfshirës, nga një palë e tretë”, për të përcaktuar saktësisht se çfarë kishte ndodhur. Ai njoftoi gjithashtu se ekzekutimi i fundit i planifikuar për këtë vit nuk do të zhvillohet.

Protokolli i Tennessee-s parashikon një grup të dytë shiringash në rast se personi nuk vdes pas dozës së parë. Megjithatë, protokolli nuk përcakton qartë se çfarë duhet të ndodhë nëse personi mbetet gjallë edhe pas dozës së dytë.

Nëna e viktimës, May Martinez, ishte ndër personat që kërkonin që ekzekutimi të realizohej. Pas ngjarjes, ajo e përshkroi situatën me fjalët: “Ishte një rrëmujë.”

Ky nuk është rasti i parë këtë vit në Tennessee kur një ekzekutim nuk është zhvilluar sipas planit. Në maj, ekzekutimi i Tony Carruthers, i dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e tre personave në vitin 1994, u shty pasi personeli nuk arriti të gjente një venë për administrimin e ilaçit vdekjeprurë, raporton BBC.

Departamenti i Korrigjimeve i Tennessee-s ka deklaruar se qëndron pas veprimeve të ndërmarra gjatë përpjekjes për ekzekutimin e Pike dhe se zyrtarët ndoqën protokollin shtetëror të ekzekutimit.

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika