Presidenti i Federatës së Rusisë, Vladimir Putin ka marrë pjesë në një takim virtual për të diskutuar rreth çështjeve ekonomike dhe të zhvillimit në territoret e Arktikut të Rusisë në Rrugën e Detit të Veriut, ku ka folur terthorazi për dëmin që po i shkaktojnë sanksionet e vendosura.
Ai i është referuar sanksioneve të vendosura nga Perëndimi duke vë në pah se o kanë krijuar probleme Rusisë, por se ato janë po aq të dëmshme për vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Zbatimi i projekteve në Arktikun rus nuk duhet të vonohet për shkak të sanksioneve, përkundrazi, shkalla e zbatimit të tyre duhet të shtohet”.
“Tani, duke marrë parasysh të gjitha llojet e kufizimeve të jashtme dhe presioneve të sanksioneve, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet të gjitha projekteve dhe planeve që lidhen me Arktikun”, ka thënë Putin, raporton BBC.
Ai ka akuzuar “vendet armike” për shkatërrimin e zinxhirëve të furnizimit në rajonet e Arktikut të Rusisë, duke shtuar se disa kombe nuk po përmbushin detyrimet e tyre kontraktuale, andaj kjo sipas tij krijon vendit probleme.
Pavarësisht problemeve të krijuara për Rusinë, ai është shprehur se “ne kemi të gjitha burimet dhe të gjitha mundësitë për të gjetur shpejt një zgjidhje alternative dhe, në planin afatgjatë, për të forcuar më tej pavarësinë tonë nga faktorët e jashtëm”, ka thënë ai.
Sipas Putinit, Rusia lehtë mund të ridrejtojë eksportin e burimeve të saj të mëdha energjetike nga Perëndimi në vendet që kanë nevojë për to, raporton Reuters.
Nga fillimi i invadimit rus në Ukrainë, bashkëpunimi i Rusisë me vendet e tjera të Këshillit Arktikut – Kanadanë, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Islandën dhe SHBA-të, është pezulluar thuajse krejtësisht.