“Ai ka pasur aftësinë të bind njeriun se rruga e vetme për liri është lufta e armatosur”.

Kështu e përshkruan heroin Ilir Konushevci, bashkëluftëtari i tij, gjenerali Naim Haziri.

Haziri për Radio Dukagjini, ka thënë se në karakterin e Konushevcit e ka vërejtur një njeri shumë të butë.

“E veçanta e Ilirit ka qenë se në karakterin e tij kur e ke pa ke vërejtur një njeri shumë të butë, që të ka bërë për vete, një njeri që ka pasur në fjalorin e tij një karakter shumë të fuqishëm. E ka pas aftësinë me idenë që e ka zhvillu me bind njeriun se rruga e vetme për liri është lufta e armatosur. Kurse pjesa tjetër, në aksione, karakter shumë i fortë, shumë i fuqishëm me të cilin nuk ka pasur alternativë në rrugën në të cilën ka hyrë, e ka mbajt në vetvete, në shpirtin e tij ka mbajtur dy karaktere që i duhen një komandanti të luftës”, ka thënë ai.

Në 25 vjetorin e rënies së ish-bashkëluftëtarit, Haziri tregon edhe momentet më të mira me Ilirin e momentin e fundit kur janë takuar.

“Momentet më të mira i kam përjetuar me Ilirin sepse unë jam rritur me të, i kemi përjetuar bashkë. Kur kemi arritur bashkë në momente të caktume që pas disa punëve që janë realizuar, pas disa punëve që janë bërë me ja u kthy buzëqeshjen qytetarëve. Të nesërmen kemi pa qytetarët të buzëqeshur, qytetarë që po shohin shpresë. Unë jam nda për herë të fundit me Ilirin një ditë para vrasjes së tij. Ai ka shku në një drejtim, një detyrë misioni që ka pas bartjen e armatimit në veri dhe unë kam shkuar në një drejtim tjetër, për furnizim me armatim. Ndarja e fundit ka qenë aty, dhe jam taku të nesërmen kur jam shku dhe e kam marrë si hero”, ka rrëfyer gjeneral Haziri.

Së bashku me Ilirin po atë ditë ra heroikisht edhe doktor Hazir Malaj.

E lajmi për vdekjen e vëllait ishte një tragjedi për Halim Malajn.

“Ka qenë tragjike shumë. Megjithatë, fakti që ata kanë ra për një diçka që… sepse e kanë pasur idealin e jetës, atëherë natyrisht e kemi pranuar por ka qenë shumë e vështirë. Kanë rënë me vetëdije se kanë luftuar për diçka të shtrenjtë siç ka qenë liria e Kosovës”, ka treguar Malaj.

Por, sot janë të qetë pasi eshtrat e dy heronjve janë në Kosovë.

“I kujtojmë me mall të madh dhe me një respekt të madh sepse edhe jemi krenarë që ata po pushojnë aty ku ja kanë bërë vendin dhe ku meritojnë. Ideali i tyre ka qenë çlirimi i Kosovës, pamja e Kosovës e pavarur”, ka thënë Malaj.

Malaj tregoi se frika më e madhe e doktor Hazirit, ishte se shëndeti nuk do t’ia lejonte kontributin në luftë, por ai dha shumë nga vetja e tij, madje edhe jetën.

“Kosova nuk do të shlirohet kurrë pa luftë. Unë kam vetëm një merak që kam frikë se ai moment do vijë, por kam frikë se qenia fizike e jemja nuk ka me qenë e tillë që me pas mundësi me kontribu aq sa kam dëshirë. Lufta erdhi shumë shpejt, edhe ai e pati edhe fuqinë fizike, dhe ai kontriboi aq sa deri kur edhe dha më sublimen, jetën e vet dhe u preh për atë kauzë që jetonte”, ka treguar ai.

Ai thotë se Haziri për të nuk ka qenë vetëm vëlla, por edhe një mësues i madh.