Kriza rreth konstituimit të Kuvendit ka vazhduar edhe të premten, me seancën konstituive që është ndërprerë dy herë brenda ditës.
Pas zhvillimeve të fundit, vazhdimi i seancës është caktuar për të dielën në orën 10:00.
Pengesë për vazhdimin e punimeve këtë herë u bë LDK-ja, e cila lëshoi sallën duke kërkuar që fillimisht të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Sipas LDK-së, nuk mund të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve të tjerë pa u përmbushur kjo pozitë.
Seanca ishte ndërprerë edhe më herët gjatë ditës, pasi deputetët e PDK-së u larguan nga salla pas dështimit të kandidates së tyre, Vlora Çitaku, për t’u zgjedhur nënkryetare.
Në votimin paraprak, kandidati i LVV-së, Ardian Gola, mori përkrahjen e deputetëve dhe u zgjodh nënkryetar i Kuvendit. PDK-ja, ndërkohë, e kishte mbështetur Golën, por nuk mori të njëjtën përkrahje për kandidaten e saj.
Pas largimit të PDK-së, kreu i kësaj partie, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e PDK-së nuk do të marrin më pjesë në punimet e Kuvendit dhe paralajmëroi dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Me largimin e LDK-së, procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve mbeti përsëri i bllokuar, ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi se seanca do të vazhdojë të dielën në orën 10:00.