Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Të akuzuarit u dënuan sikurse në gjykimin e parë- Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgi, Tahiri dhe Shatri me nga 1 vit e 8 muaj burigm, dhe Berisha me 3 vjet e 3 muaj burgim.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi është marrë të mërkurën nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli- anëtarë.
Sipas vendimit, Lekaj u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj.
Besim Tahiri u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burigm. Edhe ndaj tij u shpall dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.
Eset Berisha u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 3 vjet.
Kurse, Nebih Shatri u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.