As pas 24-orësh punë, zjarrfikësit nuk kanë arritur ta fikin tërësisht zjarrin në dy objekte të përpunimit të plastikës, në “Parkun e Biznesit” në Drenas.

Zjarrfikësit ende janë në vendin e ngjarjes duke bërë përpjekje për shuarjen e zjarrit.

Po ashtu, edhe një ekip i Policisë së Kosovës, po qëndron në vendin e ngjarjes.

Zjarri kishte nisur që nga ora 11:00 e ditës së hënë.

Dëmet materiale sipas policisë janë të shumta, ndërsa, nuk ka pasur ndonjë person të lënduar.

Tymi i zi shihet ende në fabrikën te “Parku i Biznesit” në Drenas, 12 mars 2024.

Dhjetëra ekipe të zjarrfikësve edhe nga komuna të tjera ishin angazhuar, por pa sukses, sepse flakët vetëm se ishin përhapur, shkaku edhe i erërave të forta.

Po ashtu, për ndihmë të hënën ishin edhe ekipe të njësiteve të KFOR-it, pasi kërkesën e kishte bërë kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Kryetari i komunës ishte ankuar se në parkun e Biznesit uji është ndalur, gjë që kishte  komplikuar më shumë situatën.

Lidhur me këtë rast, policia në raportin 24-orësh ka njoftuar se ende nuk dihen shkaktarët që çuan deri te shpërthimi i zjarrit.

“Është raportuar se në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri fabrika për riciklimin e qeseve të plastikës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore si dhe zjarrfikësit për të lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale të konsiderueshme, nuk raportohet për të lënduar”, ka njoftuar policia.

Policia, gjithashtu, ka bërë të ditur se rasti vazhdon të jetë nën hetime.