Ka dështuar sërish përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Edhe seanca e 22-të me radhë, e mbajtur të martën, nuk solli ndonjë ndryshim drejt zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Deputetët nuk arritën të bien dakord as këtë herë për formimin e komisionit ad-hoc që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kreun e Kuvendit.

Votimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë mori vetëm 54 vota pro, një deputet votoi kundër ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 29 maj në ora 11:00.

Me këtë dështim të radhës, vendi mbetet në ngërç të thellë politik, më shumë se tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, ndërkohë që Kosova vazhdon të funksionojë pa Kuvend dhe pa qeveri të re.