Edukimi medial si lëndë obligative në shkolla, nevojë e domosdoshme

Edhe pse futja e Edukimit Medial si lëndë obligative në sistemin arsimor në Kosovë është parë si nevojë e domosdoshme, ende nuk është bërë ndonjë hap në këtë drejtim nga ana e MASHTI-it. Megjithatë është arritur që të organizohet kurrikula dhe kjo lëndë të futet si lëndë zgjedhore në disa shkolla të mesme të larta

Ilustrim

Kohët e fundit, mediat janë fuqizuar aq shumë, saqë ndikimi i tyre llogaritet të jetë i pakrahasueshëm.

Nevoja që të futet edukimi medial si lëndë obligative në sistemet parauniversitare në Kosovë, ka qenë qysh moti, por ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MAShTI) në këtë drejtim.

Edhe pse nga ana e MAShTI-it është arritur që të organizohet kurrikula dhe lënda e Edukimit Medial të futet si lëndë zgjedhore në shkollat e mesme të larta, ende nuk ka ndonjë hap tjetër sa i përket futjes së kësaj lënde si obligative në të gjitha nivelet e sistemit arsimor në Kosovë.

Kështu krejt ajo që ka mbetur, është që studiuesit e shkencave të komunikimit të krijojnë metoda të mbrojtjes nga mediat.

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Jahiri për Portali D ka thënë se futja e lëndës së Edukimit medial në ciklin parauniversitar, është e nevojshme dhe e domosdoshme.

Sipas Jahirit, zhvillimi i ulët i shkathtësive dhe i gjykimit kritik te fëmijët në aftësimin e përdorimit të mediave, si zgjidhje të vetme e ka mësimin mbi edukimin medial.

Ndërsa, sa i përket futjes së kësaj lënde si obligative në shkolla, ai ka thënë se edhe pas takimeve të njëpasnjëshme nga Departamenti i Gazetarisë me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, ende nuk është bërë ndonjë hap në këtë drejtim.

Foto Ilustrim: Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, departamenti i Gazetarisë

“Përdorimi i medieve të reja dhe rrjeteve sociale pa përgatitje mësimore, është një gjendje kaotike, pak a shumë i ngjan një ngasjeje të një makine në një metropol, i papajisur me patentë shofer”, ka thënë Jahiri.

Ndërsa, ai ka thënë ndër të tjera se lufta në Ukrainë e ka shpërfaqur mospërgatitjen e një mase në fushën e Edukimit Medial, e që sipas tij, në këtë kohë lufta është zhvilluar në dy fronte, me anë të propagandës dhe atë ushtarake.

“Lufta (hibride) në Ukrainë, do të duhej të ishte një mësim në secilin vend, e sidomos për ato vende që kanë një shkollim mesatar që t’i kushtohet rëndësi përgatitjes së masës në raport me “betejat” online, që shumë herë janë me synime dhe qëllime të dëmshme për ta, shoqërinë dhe shtetin”, ka shtuar Jahiri.

Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që nga viti 2016 kur e ka miratuar kurrikulën bërthamë për herë të fundit nuk e ka trajtuar më çështjen e Edukimit Medial për fëmijët që vijojnë sistemin publik të shkollimit.

Futja e kësaj teme si çështje ndërkurrikulare në sistemin e arsimit publik ishte një hap i rëndësishëm, por pak i vonshëm.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë lëvizje, e cila do ta ndryshonte statusin e kësaj lënde.

Zëdhënësja e MAShTI-t, Iliriana Pylla, për Portali D, ka thënë se Edukimi Medial është pjesë integrale e kurrikulës, si temë ndërkurrikulare e hartuar nga MAShTI.

Foto ilustrim: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,(MAShT)

Sipas saj, brenda këtij konteksti, MAShTI ka hartuar edhe pakon e udhëzuesve  ”Udhëtimi nëpër internet” (2 udhëzuesit për nxënës, 1 për mësimdhënës dhe 1 për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor.

Ajo ka thënë, ndër të tjera, që esenciale ёshtё qё nga ana e MAShTI-it, siguria nё internet trajtohet me rezultate konkrete brenda kompetencave mёsimore qё i synojnё dokumentet kurrikulare arsimore.

“Janë trajnuar 161 koordinatorë të cilësisë të 25 komunave dhe udhëzuesit tashmë përdoren në shumë shkolla dhe komuna. Shkollave u sugjerohen aktivitete shkollore për ndërgjegjësimin e komunitetit shkollor për përdorimin e sigurt  të internetit”, ka thënë ajo duke shtuar se MAShTI në kontekstin legjislativ bazuar në mandatin e vet, ka nxjerrë edhe Udhëzimin administrativ nr. 1/2019 për mbrojtjen e fëmijëve në internet.

Për këtë çështje, për Portali D, ka folur edhe Arsim Dreshaj, zyrtar i lartë për Marrëdhënie me Publikun në Komisionin e Pavarur për Media(KPM).

Foto ilustrim: Komisioni i Pavarur për Media, selia qendrore

Ai ka thënë se futja e Edukimit Medial si lëndë mësimore në kurrikulën e shkollave të Kosovës për KPM-në është e domosdoshme, e që sipas tij kjo çështje është propozuar qysh nga viti 2014-2015 në takimet me MAShTI-n.

Sipas Dreshajt, lënda e Edukimit Medial është mënyra e vetme që gjeneratat e ardhshme të jenë të përgatitura sistematikisht, pra, qysh nga shkolla deri në fakultet.

“Zhvillimi i hovshëm teknologjik në krijimin dhe shpërndarjen e informacionit në të gjitha format e tij, na e ka diktuar edhe domosdoshmërinë që edukimi medial të jetë si lëndë në sistemin arsimor të Kosovës”, ka shtuar Dreshaj.

Sipas tij, MAShTI deri më tani ka arritur mjaft mirë në këtë drejtim, nëse krahasohet me gjendjen fillestare, sepse është arritur që të organizohet kurrikula dhe lënda e Edukimit Medial të futet si lëndë zgjedhore në shkollat e mesme të larta.

Ai ka thënë se mbetet sfidë mjaft e madhe që Edukimi Medial të futet si lëndë e rregullt obligative në të gjitha nivelet e sistemit arsimor në Kosovë.

Sipas tij, duhet të ketë përgatitje të kuadrove nga ana e MAShTI-it, sidomos nga fusha e gazetarisë, që të jenë të gatshëm për fillimin e futjes në kurrikulë të lëndës së Edukimit Medial dhe fillimit të zbatimit të saj si lëndë e rregullt.

Arsimi parauniversitar është cikli më i përshtatshëm nga ku duhet të fillojë edukimi medial, sepse mosha e nxënësve në këtë cikël është më e gatshme të vlerësojë rëndësinë që kanë mediat.

Kosova duhet të ndjekë praktikën e vendeve të tjera sa i përket futjes së edukimit medial në shkolla.

Sipas studimeve, në shkollat e mesme në Finlandë, arsimi për media është prezantuar në vitin 1977.

Ndërsa, edukimi medial ka qenë i detyrueshëm edhe në vende të tjera, në Danimarkë nga viti 1970, ndërsa, në Suedi nga viti 1980.

Ndërkaq, nxënësit e arsimit parauniversitar janë ata që më së shumti i përdorin mediat dhe që më së shumti kanë nevojë për një edukim medial.

Sidoqoftë, sipas njohësve të edukimit medial, në çfarëdo cikli që do të futej kjo lëndë do të ishte një lloj “eksperimenti” për krijimin e mendimit kritik të shoqërisë kosovare.

Ilustrim

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika