Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit e votimit të qeverisë, kanë filluar lëvizjet e para.
Të premten nga ora 11 pritet të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit, e në rend dite do të jetë propozimi për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kryesisë.
Ndërkohë që Kushtetuesja ka dhënë afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, gjatë ditës nuk ka folur për veprimet tutje që do ndërmarrin për këtë çështje.
“Nesër pas mbledhjes së Kryesisë do flasim për media, ta respektojmë sot heroin Afrim Bunjaku dhe le të flasim për tema të tjera nesër. Ju pres në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
E në Partinë Demokratike të Kosovës, kanë konfirmuar se në seancën e radhës të Kuvendit, do ta propozojnë emrin për nënkryetar, por pa dhënë detaje të tjera.
Kjo parti kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut, meqë të njëjtën nuk e votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën konstituive.
E në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thonë se rruga e vetme duhet të jenë gjetja e një zgjidhjeje për president e jo vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Ka qenë një emër i vetëm, për një emër jemi dakorduar, asnjë emër tjetër asnjë mundësi tjetër, ai proces është mbyllur duhet me u hap proces i ri, proceset po i dëmtojnë emrat e përveçëm..”, ka thënë deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese, konstatoi se konstituimi i Kuvendit ishte bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, që është nga PDK-ja dhe përcaktoi se afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, është 6 tetori.