Inflacioni në Kosovë po vazhdon të rëndojë standardin e jetesës së qytetarëve, ndërsa ekonomistët vlerësojnë se institucionet duhet të fokusohen në adresimin e shkaqeve të inflacionit dhe jo vetëm në pasojat e tij.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 6.0 për qind gjatë muajit qershor 2026.
Ekonomisti Lulzim Beqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se rritja e inflacionit gjatë dy viteve të fundit është e papërballueshme për qytetarët, duke theksuar se varësia e madhe nga importi, çmimi i energjisë elektrike dhe ai i derivateve janë ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës.
“Po sigurisht Kosova po ballafaqohet me rritje të inflacionit tash e dy vite, ka një rritje që është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, duke marrë për bazë edhe faktin që pothuajse në dy vitet e fundit kemi qenë gjithmonë në zgjedhje dhe institucionet e Republikës së Kosovës i kanë harruar qytetarët e tyre, dhe qytetarët janë mbetë të vetëm duke u ballafaquar me rritjen e inflacionit. Pavarësisht, për shembull, Kosova varet shumë prej zinxhirëve të furnizimit, një krizë e vogël në një vend të Bashkimit Evropian afektohet në Republikën e Kosovës dhe kjo sigurisht që ka vështirësuar jetesën e qytetarëve. Institucionet e Republikës së Kosovës kryesisht po merren me pasojat, jo me shkaqet që vijnë te inflacioni. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme fokus kryesor t’i ketë shkaqet që po e shkaktojnë inflacionin në Republikën e Kosovës. Dhe shkaku kryesor që konsideroj është varësia nga importi. Republika e Kosovës kryesisht pothuajse 80% të produkteve i merr nga importi dhe zinxhiri i furnizimeve ndikohet jashtëzakonisht shumë në situata të ndryshme”, tha ai.
Beqiri ka thënë se çmimi i energjisë elektrike dhe i derivateve po ndikon gjithashtu në rritjen e kostos së jetesës, ndërsa sipas tij, pagat nuk po e përcjellin ritmin e rritjes së inflacionit.
“Pastaj është çmimi i energjisë elektrike, gjithashtu edhe çmimi i derivateve, të gjitha këto janë faktorë që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kjo po vështirëson edhe situatën aktuale, sidomos për kategoritë që janë me të ardhura të vogla, sepse kemi rritje të inflacionit, po kemi stagnim të rritjes së pagave, apo rritje të pagave në vlerë minimale në krahasim me inflacionin”, tha ai.
Ai ka kërkuar nga institucionet që të investojnë më shumë në sektorin e prodhimit vendor, me qëllim të uljes së varësisë nga importi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet, mekanizmat që janë vendimmarrës duhet të investojnë më shumë në sektorin e prodhimit, sepse Republika e Kosovës, e ceka më herët, varet kryesisht prej produkteve të cilat importon. Një shtet që nuk ka prodhim të duhur, është e pamundur që të ketë stabilitet ekonomik. Gjithashtu edhe politikat përçarëse mes partive politike në Kosovë kanë krijuar një situatë që askush nuk do të investojë në një vend që është politikisht i paqartë apo që ka akuza deri në tradhti kombëtare. Pra, institucionet, partitë politike, mekanizmat që merren me zhvillim ekonomik duhet të ndalen njëherë dhe t’i ndihmojnë bizneset prodhuese, në mënyrë që të paktën ta ulim importin dhe të kemi më shumë prodhime vendore”, tha ai.
Beqiri ka kritikuar edhe qasjen institucionale ndaj bizneseve, duke thënë se prodhuesit janë përballur me kosto të larta të energjisë elektrike dhe mungesë të politikave të qëndrueshme zhvillimore.
“Mendoj që ka një qasje jo të duhur, për faktin që biznesi po ballafaqohet me shumë sfida. Muaj më parë kemi pasur daljen në tregun e hapur, që bizneset janë detyruar të paguajnë deri në 250% të energjisë elektrike, kostos së prodhimit, që në Kosovë kryesisht kompanitë prodhuese e përdorin energjinë elektrike. Pra, pastaj nuk ka politika zhvillimore, nuk mbështetet prodhimi. Kemi deklarata të kryeministrit, të institucioneve, që do të mbështesim prodhuesit deri në 1 miliard euro, por në fakt ka më shumë deklarata politike të fushatave zgjedhore sesa që mbështetet. Prandaj konsideroj që tashmë do të duhej t’i lëmë deklaratat politike, duhet të kthehemi te mbështetja e bizneseve, në mënyrë që të paktën të përballemi me inflacionin, sepse inflacioni nuk largohet brenda natës. Inflacioni largohet me politika zhvillimore, me mbështetje ndaj bizneseve, me produktivitet të lartë, me rritje të pagave dhe kjo sigurisht që e ul edhe normën e inflacionit”, tha ai.
Ndërkaq, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se situata ekonomike në vend është shqetësuese, pasi sipas tij agjenda politike po e lë në hije zhvillimin ekonomik.
“Në aspektin ekonomik, situata në Kosovë është vërtet mjaft shqetësuese, nga fakti që është një agjendë politike e cila po e nënçmon zhvillimin ekonomik dhe proceset ekonomike. Në këtë drejtim nuk duhet të na habisë fakti që distancë në globalizim nuk ka. Ajo që duket se po ndodh kudo në botë po reflektohet dhe po manifestohet ekonomikisht edhe në Kosovë. Po e shihni që tani kemi një ngritje enorme të çmimit të naftës, jo vetëm falë luftës në Iran dhe në ngushticën e Hormuzit, por edhe falë dëmeve që po i bëhen ekonomisë ruse nga sulmet me dronë nga Ukraina. Rusia ka qenë një shtet eksportues i naftës, tani varet nga importi. Importon nga Bjellorusia, nga Kina dhe nga India, ndërsa ato kanë nevojë për naftën e Gjirit Persik. Sot, në bursat ndërkombëtare, një fuçi nafte është afër 90 dollarë dhe ky duhet të jetë shqetësimi më i madh për shumë ekonomi botërore, por edhe për Kosovën, sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojë në rritjen e inflacionit. Është e vërtetë që në qershor kemi pasur një ulje të inflacionit në Kosovë, sepse u arrit një stabilitet i çmimit të naftës. Sot rritja e çmimit të naftës po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe definitivisht inflacioni është në një shkallë afër 7%, 7.5%, që në rrethanat sociale dhe ekonomike në Kosovë është një goditje për standardin e jetesës së qytetarëve dhe për rritjen e varfërisë ekstreme, e cila mund të jetë një bombë e kurdisur në aspektin social për Kosovën”, tha ai për Ekonomia Online.
Gërxhaliu ka deklaruar se rritja e çmimeve po e dobëson fuqinë blerëse të qytetarëve, duke theksuar varësinë e madhe të Kosovës nga importi.
“Fuqia blerëse në Kosovë çdo ditë është definitivisht më e dobësuar. E them këtë bazuar në disa raporte të reja, ku kosovarët afër 20% të të hyrave i shpenzojnë vetëm për bukë, jo për ushqim në aspektin gjeneral. Ngritja e çmimeve është duke e devalvuar fuqinë blerëse. Atë që e blen apo e ke blerë vitin e kaluar me 100 euro, sot nuk mund ta blesh me 150 euro dhe e tëra kjo po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të thotë, në uljen e standardit të jetesës. Kur kësaj i shtohet edhe fakti që kemi një çmim të energjisë të papërballueshëm, qoftë për biznes, qoftë për familje, kur kësaj i shtohet që Kosova është një shtet i varur nga importi. Në vitin 2025 kemi importuar 7 miliardë e 300 milionë euro, kësaj duhet t’i shtohen edhe 2 miliardë të inkasuara nga Dogana, që është më tepër se 9 miliardë euro. E tëra kjo dëshmon faktin që ne jemi duke importuar inflacion dhe vërtet sot çmimet e produkteve esenciale shumë më të shtrenjta janë në Kosovë sesa kudo tjetër në rajon. Prandaj definitivisht është koha kur duhet të jetë ekonomia prioritet dhe jo vetëm politika të jetë dominante në aktualitetin kosovar”, tha ai.
Sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për ta zbutur inflacionin, përfshirë politika fiskale dhe mbështetje për qytetarët dhe bizneset.
“Është e vërtetë që qeveria nuk krijon inflacion, por qeveria duhet të gjejë mekanizma për ta ulur inflacionin. Në këtë drejtim duhet të mësohet apo të merren përvojat më të mira nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Ku do të thotë, manovrohet qoftë me akcizë në produkte strategjike, qoftë me ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar, ka metoda të ndryshme dhe pako të veçanta për produktet esenciale. Në veçanti, kjo situatë është shqetësuese kur kemi inflacion, kemi rritje të çmimeve, por nuk kemi lëvizje të pagave, qoftë në sektorin privat, qoftë në administratë. Prandaj besoj që është koha kur qytetari duhet të ketë një ndihmë më të madhe apo ta shijojë dorën e shtetit, siç e quan Kejnzi, por e tëra kjo duhet të ndërtohet në një dialog të mirëfilltë, jo vetëm me qytetarë, por edhe me sektorin privat dhe me biznese. E vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë është një gjithëpërfshirje e mendimeve dhe opinioneve dhe të dilet me një model i cili do të jetë real në parametrat ekonomikë në Kosovë. Por definitivisht situata është më alarmante sesa që mendohet dhe me siguri pasojat e këtij inflacioni dhe kësaj neglizhence institucionale do të reflektohen edhe në të ardhmen”, tha ai.