“Njëherë e përgjithmonë duhet ta ketë të qartë secili – si autoritetet serbe, ashtu edhe ato ruse, të cilat në vazhdimësi punojnë me qëllim të krijimit të rrethanave për rikthimin e pushteteve të tyre në Kosovë – se Kosova njëherë e përgjithmonë është sferë e interesit të Perëndimit dhe është tokë sovrane e popullit të Kosovës”, ka deklaruar eksperti i anti-terrorizmit, Kolë Krasniqi, në studion e emisionit “FIVE” në RTV Dukagjini.

Krasniqi ka folur lidhur me arrestimet e fundit në Kosovë për spiunazh, duke theksuar se veprimet që përfshijnë marrjen dhe dorëzimin e informacioneve të klasifikuara përbëjnë vepër penale.

“Çfarëdo përpjekje ose marrje e informacioneve të cilat konsiderohen si sekret shtetëror ose sekret zyrtar, dhe dhënia e atyre informacioneve një shteti të huaj, natyrisht paraqet një vepër të rëndë penale”, ka thënë ai.

Sipas tij, në rastin konkret, ku është arrestuar një toger i Policisë me përkatësi etnike, bëhet fjalë për dokumente me karakter sekret shtetëror.

“Të cilat mund të implikojnë në rrezikshmëri disa zyrtarë tanë policorë… Ky ka siguruar informacione për masat operative që i ka ndërmarrë policia jonë menjëherë pas sulmit të Banjskës, dhe aty i ka identifikuar personat dhe detyrat e atyre personave – zyrtarë të shtetit tonë – të cilët i kanë ndërmarrë, natyrisht, për rikthimin e gjendjes dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e integritetit tonë territorial”, është shprehur Krasniqi.