Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se vetëdijesimi i qytetarëve dhe bashkëpunimi me institucionet e sigurisë janë mbrojtja më e mirë e Kosovës ndaj spiunazhit.
Islami ka vlerësuar se veprimtaria e spiunazhit paraqet rrezik real për sigurinë kombëtare, duke theksuar se shtetet jomiqësore mund të synojnë bashkëpunëtorë në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, kulturën, artin dhe gazetarinë.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo veprim të dyshimtë apo përpjekje për marrjen e informacioneve sensitive ta raportojnë menjëherë tek autoritetet.
Sipas tij, arrestimet dhe dënimet për spiunazh gjatë dy viteve të fundit tregojnë se ky rrezik është real dhe se institucionet e Kosovës po e luftojnë atë.