Eksperti i sigurisë, Avni Islami, pas ngritjes së aktakuzës për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit, vlerëson se aktiviteti i tij operativ dhe analitik, i nisur që nga koha kur ishte pjesë e ish-UDB-së, nuk ka rreshtur asnjëherë.
Në një postim, Islami pretendon se aktiviteti i Shehollit në fushën e spiunazhit ka vazhduar ndër vite dhe se depërtimi i tij në institucione dhe krijimi i kontakteve me figura të larta shtetërore kanë qenë pjesë e një strategjie për të fituar besim dhe për të shmangur dyshimet.
Sipas Islamit, dokumenti i quajtur “Top Secret 2”, të cilit ai i referohet në kontekstin e aktakuzës ndaj Shehollit, përmban një plan strategjik që synon zgjerimin e radikalizmit islamik në Kosovë dhe rajon.
Islami vlerëson se në këtë plan përfshihen figura me ndikim nga fusha të ndryshme dhe po ashtu sipas tij, qëllimi i pretenduar do të ishte destabilizimi i Kosovës, dëmtimi i imazhit të saj ndërkombëtar dhe krijimi i një narrative që do ta paraqiste vendin si vatër të ekstremizmit.
“Depërtimi i tij në institucionet më të larta nuk është i rastësishëm; kamuflimi përmes miqësive me figura të larta shtetërore, paraqitja në shumicën e mediave për tema të ndieshme , dëshmon qartë synimin e tij për të fituar besim dhe për të shmangur dyshimet. Dokumenti “Top Secret 2” në lexim të aktakuzës zbulon një plan strategjik të fshehtë. Ky program synon zgjerimin e radikalizmit islamik në Kosovë e rajon, duke implikuar figura me ndikim nga sporti, muzika, mediat dhe politika. Bazuar në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, duke e paraqitur atë si një vatër ekstremizmi dhe duke dëmtuar rëndë pozitën e saj ndërkombëtare. Përmes nxitjes së aktiviteteve fetare dhe ndikimit te klerikët, synohet krijimi i një narrative negative, stimulimi i migrimit dhe ndryshimi i qëndrimit të vendeve perëndimore ndaj Kosovës”, shkruan Islami.
Mes tjerash, Islami thotë rasti i Shehollit duhet të shërbejë si paralajmërim se askush nuk mund të fshihet pas lidhjeve apo pozitave të larta dhe se personat që punojnë kundër shtetit duhet të përballen me drejtësinë.