Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, dje ka bërë ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Kroacia për në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuarit ishte arrestuar nga autoritete kroate pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “ posedim, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike dhe posedim të paautorizuar të armëve” dhe se i njëjti iu ishte shmangur drejtësisë, njofton Dukagjini.
“I dyshuari pas ekstradimit, iu është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë nga rajoni kompetent për vazhdim me procedura të tjera ligjore” thuhet në njoftim.
Ndërsa këtë të premte nga Kosova për në Suedi është ekstraduar një shtetas kosovar, i cili ishte i kërkuar nga autoritete suedeze përmes INTERPOL-it, nën dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunim”.
“Ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shteteve përkatëse ku u realizuan ekstradimet. Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.