Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka realizuar me sukses ekstradimin e katër personave të kërkuar ndërkombëtarisht në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë dhe drejtësisë.
Sipas njoftimit të Policisë, më 14 dhe 15 prill është realizuar me sukses ekstradimi i katër personave të kërkuar nga drejtësia, të cilët ishin të shpallur ne kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, njofton Dukagjini.
Më 14 prill, nga Hungaria në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar me inicialet Q.I., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë në vend. Pas kthimit, ai iu dorëzua njësive policore në rajonin e Gjakovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, më 15 prill, nga Shqipëria janë ekstraduar dy shtetas shqiptarë, me inicialet R.B. dhe G.H., të cilët kërkoheshin nga drejtësia kosovare.
Po ashtu, gjatë së njëjtës ditë, nga Mali i Zi është ekstraduar edhe shtetasi kosovar I.A., i kërkuar nga organet e drejtësisë.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit ishin arrestuar më herët nga institucionet e shteteve përkatëse, ndërsa ekstradimet u realizuan në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve partnere.