Të premten e shtatë tetorit janë ekzekutuar pagat e muajit shtator për të punësuarit në sektorin e arsimit.

Lajmin për Portali Dukagjini e ka konfirmuar drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka kërkuar edhe njëherë nga Organizatat Buxhetore(OB) që të rikonfirmojnë listat e pagave, të premten e shtatë tetorit.

Përmes një postimi në Facebook, Ministria e Financave ka kërkuar nga OB-të që të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, në të kundërt, kanë bërë të ditur se do të duhet të veprojnë sipas Ligjit për Greva.

“OB-të duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet në njoftim.