Janë ekzekutuar pagat me rritje prej 100 eurosh për puntorët e arsimit të nivelit parauniversitar.

Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se bazuar në informata jozyrtare, kolegëve të tij, puntorëve në sektorin e arsimit, u janë ekzekutuar pagat me 100 euro shtesë. E njëjta është realizuar edhe për puntorët teknikë.

Lidhur me këtë shumë, pati edhe greva vitin e kaluar.

Greva u organizua pas paralajmërimeve të shumta të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, e cila kërkonte nga 100 euro më shumë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Kategorikisht, kundër kësaj kërkesë ishte Qeveria e Kosovës, e cila e akuzonte SBAShK-un për grevë të politizuar dhe të ndikuar nga opozita.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, greva nisi me 25 gusht të vitit 2022, fundi pastaj nuk shihej nga askush.

13 shtatori ishte data kur për herë të parë pas fillimit të grevës, ishte caktuar një takim me përfaqësuesit e Këshillit Grevist dhe Qeverisë së Kosovës.

Nga ky takim pritej të dilej me një marrëveshje, por ndodhi e kundërta. Qeveria insistonte se ishin sindikatat ato që nuk lëshonin pe, ndërsa sindikata e thoshte të njëjtën për Qeverinë e Kosovës.

Qeveria kishte vendosur që punëtorëve të sektorit të arsimit t’ua ndante 50 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga. Ky ishte lëshimi që ata e konsideronin që ishte bërë për ta.

“Kanë kërkuar 100 euro, ka qenë zero, ne u kemi thënë 50, ata ose krejt ose hiç, nuk është e mirë kjo logjikë e shantazhit”, kishte thënë Kurti.

Më tre tetor, përkatësisht me një muaj vonesë, mësimi filloi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë, pas pezullimit të grevës pesëjavore nga SBASHK-u.