Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, ka vlerësuar bashkëpunimin e qytetarëve me policinë, duke theksuar se informacionet e marra prej tyre kanë luajtur rol të rëndësishëm në zbulimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje.
Duke folur për një aksion të fundit policor, Elshani tha se elementi më i rëndësishëm i rastit ishte informacioni i siguruar nga qytetarët.
“Ajo që është me rëndësi të thuhet për këtë rast është se kemi pranuar informacion nga qytetarët. Kjo ka shumë rëndësi për ne. Bastisje të tilla janë pjesë e punës sonë të përditshme dhe shpesh gjatë tyre gjejmë armë ilegale”, deklaroi ai.
Policia konfiskon armë dhe municion në tri lokacione në veri
Sipas Elshanit, kohëve të fundit është shënuar rënie e sasisë së armëve që konfiskohen, por kjo nuk ndikon në angazhimin dhe vigjilencën e Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Edhe pse ka rënie në sasinë e armëve, ne vazhdojmë të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në kryerjen e detyrave tona”, tha ai.
Elshani theksoi se bashkëpunimi me qytetarët në veri është në nivel të lartë, duke nënvizuar se shumica e popullsisë në atë pjesë janë qytetarë të Kosovës me nacionalitet serb.
“Mbi 90 për qind e qytetarëve në veri janë shtetas të Kosovës me nacionalitet serb. Kjo tregon për bashkëpunimin shumë të mirë dhe besimin që ata kanë ndaj Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Ai shtoi se përveç rasteve që lidhen me armët ilegale, policia në veri merret edhe me një sërë çështjesh të tjera të përditshme, si vjedhja e druve, paqartësitë lidhur me pagesat e taksave, si dhe raste të ndryshme që kërkojnë ndërhyrjen e organeve të rendit.
