Emini: Serbia s’ka heshtur – arrestimet dhe letra e Vuçiqit janë pjesë e fushatës kundër Kosovës
Hulumtuesi i Institutit Octopus, Ridvan Emini, ka deklaruar se letra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, pas diskutimeve për hapjen e urës mbi lumin Ibër, është pjesë e narrativës së vazhdueshme të Beogradit për ta paraqitur Kosovën si shtet jofunksional. Në një intervistë për TëVë1, në emisionin […]
Hulumtuesi i Institutit Octopus, Ridvan Emini, ka deklaruar se letra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, pas diskutimeve për hapjen e urës mbi lumin Ibër, është pjesë e narrativës së vazhdueshme të Beogradit për ta paraqitur Kosovën si shtet jofunksional.
Në një intervistë për TëVë1, në emisionin “Ditari”, Emini tha se Serbia që nga përfundimi i luftës ka tentuar ta mbajë peng veriun e Kosovës përmes strukturave paralele dhe mekanizmave destabilizues.
“Serbia do të bëjë çmos dhe do t’i përdorë të gjitha mekanizmat e saj që ta pengojë funksionimin e shtetit, përkatësisht Republikës së Kosovës. Pra, ta paraqesë në çdo formë si shtet të dështuar, si shtet jofunksional. Andaj, edhe kjo letër e dërguar Sekretarit Rutte është në këtë funksion, përkatësisht është në kuadër të kësaj narrative serbe kundrejt Kosovës”, ka thënë Emini.
Sipas tij, reagimet e NATO-s janë në përputhje me realitetin aktual në veri, ku, siç tha, prej kohësh situata është e qetë dhe është shtrirë sovraniteti, ligji dhe rendi.
Duke folur për mundësinë e hapjes së urës mbi Ibër, Emini vlerësoi se kushtet për një veprim të tillë janë krijuar prej kohësh, por faktori ndërkombëtar ka qenë më i kujdesshëm për shkak të zhvillimeve të mëhershme të sigurisë.
Ai përmendi sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, duke thënë se, sipas tij, ato ishin pjesë e përpjekjeve për destabilizimin e situatës dhe krijimin e narrativës se institucionet e Kosovës po keqtrajtojnë qytetarët serbë.
“Konsideroj se situata në veri ka marrë një kahje pozitive për shkak se atje nuk funksionojnë më grupet e mëdha kriminale të udhëhequra nga tani kryeterroristi Radoiçiq”, deklaroi Emini.
I pyetur nëse Qeveria në detyrë meriton kredi për zhvillimet në veri, Emini veçoi punën e institucioneve të sigurisë.
“Konsideroj që mekanizmi i sigurisë në Kosovë e ka kryer detyrën e vet në mënyrën më të mirë të duhur, qoftë Policia e Kosovës, qoftë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë. Natyrisht që të gjitha këto i përkasin edhe qeverisë aktuale, përkatësisht qeverisë në detyrë, e cila ka menaxhuar me vendin në periudhën e fundit”, tha ai.
Emini foli edhe për gjetjen e arsenalit të armëve në veri dhe për procesin e zhvarrimit të mbetjeve mortore në Zubin Potok. Ai tërhoqi një paralele me Bosnjë-Hercegovinën, duke argumentuar se mungesa e kontrollit institucional në zona të caktuara mund ta ketë vështirësuar për vite me radhë zbulimin e lokacioneve të dyshuara si varreza masive.
Sipas tij, tashmë u takon organeve të hetuesisë të përcaktojnë nëse armët e gjetura gjatë operacioneve të Policisë së Kosovës mund të jenë përdorur në krimet për të cilat po zhvillohen hetime.
Në fund, Emini tha se nuk pajtohet me vlerësimin se Serbia ka heshtur për zhvillimet e fundit në veri. Sipas tij, arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe letra e Vuçiqit drejtuar NATO-s duhet të shihen si pjesë e së njëjtës qasje.
“Serbia nuk ka heshtur, por ka vepruar menjëherë duke arrestuar qytetarë të pafajshëm të Kosovës. Nuk është hera e parë, kështu ka vepruar edhe në të kaluarën. Kjo është një kundërpeshë se kinse edhe shqiptarët kanë kryer veprime të tilla”, tha Emini.
“Njëkohësisht edhe kjo letër e presidentit serb drejtuar Sekretarit të NATO-s është në kuadër të krejt kësaj fushate të Serbisë kundrejt Kosovës”, përfundoi ai.















