Emini: Vidovdani, mit i shndërruar në instrument politik nga Millosheviqi deri te Vuçiqi
Në konferencën me temë “Vidovdani midis Mitit dhe Gjeopolitikës: Roli i tij në Projektin Kombëtar Serb”, të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, filozofi, politologu dhe gazetari Ridvan Emini, njëherësh kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, ka prezantuar kumtesën me titull: Instrumentalizimi politik i Vidovdanit nga Millosheviqi deri te Vuçiqi. Në […]
Në konferencën me temë “Vidovdani midis Mitit dhe Gjeopolitikës: Roli i tij në Projektin Kombëtar Serb”, të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, filozofi, politologu dhe gazetari Ridvan Emini, njëherësh kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, ka prezantuar kumtesën me titull: Instrumentalizimi politik i Vidovdanit nga Millosheviqi deri te Vuçiqi.
Në fjalën e tij, Emini analizoi rolin që Vidovdani ka pasur si një element kyç mitologjik dhe politik në ndërtimin e identitetit nacional serb, por edhe si mjet për mobilizim ideologjik dhe legjitimim të dhunës shtetërore. Ai theksoi se nga vrasja e Franc Ferdinantit më 28 qershor 1914 deri te fjalimi famëkeq i Millosheviqit në Gazimestan në vitin 1989, Vidovdani është shndërruar në një datë me simbolikë të rëndë politike dhe gjeostrategjike.
Sipas Eminit, vrasja e arkidukës austriak nga Gavrilo Princip më 28 qershor 1914 është parë nga nacionalistët serbë si vazhdim i sakrificës së betejës së Kosovës më 1389, duke forcuar idenë se dhuna është e justifikueshme në funksion të aspiratave kombëtare.
“Vidovdani, për serbët, nuk është vetëm përkujtim, por një ditë që përçon narrativën e sakrificës dhe të ringjalljes kombëtare”, tha ai.
Në vijim, Emini është ndalur në mënyrën sesi Sllobodan Millosheviqi, më 28 qershor 1989, përdori këtë mit për të legjitimuar projektin e tij nacionalist duke thënë se fjalimi i tij në Gazimestan, i mbajtur në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, përbën një pikë kthese në historinë moderne të Ballkanit, por fatkeqësisht për keq.
“Ishte një paralajmërim i hapur për luftërat që do pasonin në vitet e ’90-ta”, tha Emini.
Ai argumenton se Vidovdani është pjesë përbërëse e një projekti afatgjatë nacionalist serb për të krijuar vazhdimësi historike me Kosovën si “zemër të kombit serb”. Sipas tij, ky mit ka ndikuar në formësimin e politikave shtetërore, arsimore dhe qëndrimeve ndërkombëtare të Serbisë.
“Vidovdani është një mit themelues dhe mobilizues që përdor ‘gjeopolitikën simbolike’ për të justifikuar pretendimet territoriale dhe ndërhyrjet politike, në emër të mbrojtjes së trashëgimisë historike”, deklaroi Emini.
“Paralajmërimi i rizgjimit të mitit të Kosovës, ku vetëm disa muaj pas këtij revolucioni, më 1989, Serbia e Millosheviqit e shfuqizoi autonominë e Kosovës – në mënyrë simbolike, kjo ndodhi po ashtu më 28 qershor – në Vidovdan. Pra, Revolucioni i Jogurtit ishte paralajmërim dhe prelud i përmbysjeve të mëdha politike që do të ndodhnin nën flamurin e një narrative mitologjike, tha Emini.
Një pjesë e rëndësishme e prezantimit të Eminit i kushtohej rolit të mediave në shpërndarjen dhe legjitimimin e këtyre narrativave. Ai veçoi RTS-in dhe gazetat si Politika dhe Borba, të cilat sipas tij shërbyen si instrumente të propagandës nacionaliste.
Në rastin e Vojvodinës, mediat e paraqitën “Revolucionin e Jogurtit” si vullnet popullor, ndërsa në Gazimestan, fjalimi i Millosheviqit u mitologjizua dhe ai vetë u paraqit si një udhëheqës historik në rolin e shpëtimtarit kombëtar.
“Fjala e tij[Millosheviqit]: ‘Sot nuk jemi në luftë, por ndodhemi në prag të luftës’, u transmetua si një paralajmërim profetik për ‘bashkim kombëtar’ përballë armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”, theksoi ndër të tjera Emini.
Narrativa serbe rreth Vidovdanit nuk ka ndryshuar në thelb që nga koha e Millosheviqit – thelbi mitologjik dhe funksioni i saj politik mbetet i njëjtë tha filozofi Emini duke shtuar se ajo ka evoluar vetëm në formë dhe në gjuhë, duke u përshtatur me kontekste të ndryshme historike dhe politike.
”Megjithatë, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, ky mit është riformuluar në formë më të sofistikuar dhe të përshtatshme për diskursin modern dhe ndërkombëtar. Vuçiqi, dikur ministër i propagandës në regjimin e Millosheviqit, ka ruajtur elementet kyçe të mitologjisë së Vidovdanit duke i ambalazhuar në një gjuhë më diplomatike. Pas rrëzimit të Millosheviqit në vitin 2000, pati përpjekje të kufizuara për t’u distancuar nga trashëgimia e tij, por mitologjia e Vidovdanit vazhdoi të përkujtohej si simbol i sakrificës kombëtare. Kisha Ortodokse Serbe ruajti një rol qendror në këtë diskurs, duke e përforcuar vazhdimisht simbolikën shpirtërore dhe identitare të Vidovdanit”.
”Vuçiqi ka marrë pjesë në përkujtimet në Gazimestan, ku përmendet ‘betimi i Kosovës’ dhe sakrifica e popullit serb. Edhe pse shmang thirrjet e drejtpërdrejta për luftë, ai nënvizon vazhdimisht se ‘Kosova është zemra e Serbisë’, një gjuhë e përftuar drejtpërdrejt nga mitologjia e Vidovdanit. Kjo narrativë shfrytëzohet për mobilizim të brendshëm, veçanërisht kur Serbia ndodhet nën presion ndërkombëtar për çështjen e Kosovës, duke u paraqitur si një shtet konstruktiv dhe një viktimë historike. Mediat nacionaliste dhe Kisha Ortodokse Serbe mbeten shtylla të përhapjes së këtij miti, duke përdorur gjuhë emocionale si ‘beteja shpirtërore’ dhe ‘Kosova – plagë e pambyllur’, ndërsa mbështesin politikat e Vuçiqit si vazhdimësi e sakrificës për unitetin kombëtar”, ka thënë ai.
Filozofi Emini tutje tha se pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, narrativat që përkujtojnë Vidovdanin u riaktivizuan, edhe pse në mënyrë më të tërthortë. Diskursi politik dhe medial në Serbi e paraqiti sulmin si akt të “mbrojtjes së trojeve të shenjta” dhe “martirizimit për Kosovën”, duke përdorur terma që evokojnë princin Lazar dhe mitologjinë e vitit 1389.
”Në media dhe rrjete sociale serbe e ruse dhe kanalet në Telegram, sulmuesit u përshkruan si ‘bij të Kosovës’ dhe ‘mbrojtës të kishave’, ndërsa akti u justifikua si ‘vetëmbrojtje ndaj pushtimit shqiptar’. Kisha Ortodokse Serbe shmangu dënimet e qarta, duke dërguar mesazhe që lavdëronin ata që ruajnë identitetin në ‘trojet e shenjta’, ndërsa mediat pro qeveritare serbe raportuan për rrezikun ndaj trashëgimisë kulturore ortodokse – në përputhje me idenë e një Kosove të rrezikuar”, tha ai duke shtuar se Vuçiqi dhe qeveria serbe nuk morën përgjegjësi për sulmin, por e justifikuan indirekt si reagim ndaj “represionit” të Qeverisë së Kosovës ndaj serbëve të veriut. Kështu, u krijua një narrativë e re viktimizuese, e ngjashme me atë të viteve të ’90-ta, që nuk shfaq Serbinë si agresor, por si mbrojtëse e një kauze historike dhe shpirtërore.
Në fund të fjalës së tij Emini ka folur edhe për vështirësitë e raportimit të gazetarëve dhe mediave të Kosovës nga festa e Vidovdanit ndër vite në Gazimestan.
”Raportimi i manifestimeve të Vidovdanit në Gazimestan ka qenë sfidues për mediat e Kosovës ndër vite…duke e vështirësuar detyrën e mediave dhe gazetarëve për të mbajtur qëndrim profesional pa u bërë jehonë e këtij diskursi nacionalist. Gazetarët shpesh janë përballur me sfida në terren, përfshirë mungesën e sigurisë fizike dhe vështirësitë në qasje gjatë manifestimeve në Gazimestan, veçanërisht kur ato organizoheshin nga struktura paralele dhe persona me përkatësi të theksuar nacionaliste. Kjo ka ndikuar që raportimet të kufizohen shpesh në burime të dorës së dytë, duke rritur rrezikun e shtrembërimeve ose mungesës së kontekstit të duhur”.
Një tjetër sfidë sipas Eminit ka qenë dilema mes një gjuhe të thatë informative dhe nevojës për interpretim analitik, pa rënë në narrativën nacionaliste.
”Mediat shpesh janë kritikuar për ‘amplifikim të fjalimeve serbe’, po ashtu edhe për ‘nënvleftësim të ngjarjes’ – çka ka reflektuar presionin për të mbetur në një vijë të hollë mes profesionalizmit dhe ndjeshmërisë politike. Megjithë, për aq sa kam parë dhe përcjellur ndër vite këto sfida, mund të them se mediat më të përgjegjshme në Kosovë kanë ndjekur një qasje të kujdesshme, duke raportuar faktet, duke përfshirë analizën kritike dhe duke vendosur ngjarjen në një kontekst historik e politik më të gjerë. Kjo ka qenë e domosdoshme për të ruajtur integritetin gazetaresk dhe për të mos rënë pre e instrumentalizimit politik që përmes Vidovdanit synon të legjitimojë pretendimet serbe mbi Kosovën”, ka thënë Emini.















