Emisari gjerman: Pranimi i planit evropian hap rrugën drejt integrimit rajonal në BE
Eksperti i Evropës Juglindore, Manuel Sarrazin, i ngarkuari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, sheh në planin evropian një shans për Kosovën dhe Serbinë. “Propozimi evropian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për […]
Eksperti i Evropës Juglindore, Manuel Sarrazin, i ngarkuari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, sheh në planin evropian një shans për Kosovën dhe Serbinë.
“Propozimi evropian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE”, shprehet Sarrazin. Pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE.
Sarrazin thekson se tani është mundësia që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe t’i pranojnë propozimet e paraqitura. Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një situatë kritike ndërkombëtare, shkruan DW.
Pranimi i planit nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, beson Sarrazin, por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti. Po ashtu, ky plan do të thjeshtonte shumë çështje të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. “Do të ofroheshin shumë mundësi që të zbatohen pikat që i kemi arritur në Procesin e Berlinit dhe të shkohet përtej kësaj.”
Këtë të hënë (27.02.2023) takohen sërish në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Tema e bisedimeve është plani i inicuar nga Gjermania dhe Franca për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.















