Ende e paqartë pse një shofer përplasi 7 persona në Teksas

Policia po vazhdon hetimet për të kuptuar nëse kjo ishte një ngjarje e qëllimshme, apo jo

Të dielën në qytetin Brownswille të Teksasit, një person përplasi me makinë një turmë njerëzish, pranë një stacioni autobusi, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe duke lënduar të paktën 10 të tjerë.

Policia po vazhdon hetimet për të kuptuar nëse kjo ishte një ngjarje e qëllimshme, apo jo.

Shoferi ndodhet në paraburgim, tha togeri Martin Sandoval nga Departamenti i Policisë në qytetin Brownsville, ndërsa shtoi se ai akuzohet për pakujdesi në ngasjen e makinës dhe disa vepra shtesë.

Sandoval tha se viktimat po prisnin autobusin afër qendrës Ozanam, një strehimore për emigrantët, shkruan VOA.

Makina goditi edhe disa kalimtarë rasti, në një trotuar aty pranë.

Ende nuk dihet nëse shoferi shkoi drejt turmën me qëllim, apo nëse ai humbi kontrollin e makinës.

Dëshmitarët thonë se shoferi u mundua të largohet nga vendi i ngjarjes, por, ata arritën ta kapin dhe mbajnë, derisa erdhi policia.

“Tani për tani, rastin po e trajtojmë si një aksident, por nuk mund të themi se kjo nuk ishte e qëllimshme. Kjo është ajo që hetuesit po mundohen të mësojnë. Është një rast që mund të ndryshojë kahje me shpejtësi”, thotë Sandoval.

Ai shtoi se policia po heton nëse shoferi ishte i dehur, ose nën ndikimin e drogës.

Në makinë nuk kishte pasagjerë të tjerë.

“Urojmë që emigrantët e shtruar në spital do të shërohen, sepse familjet e tyre, që ndodhen larg, varen nga ta. Kaluam male që të emigronim. Rruga deri këtu ishte e gjatë dhe e mundimshme”, thotë një emigrant, dëshmitar i rastit.

Prej kohësh, qyteti Brownsville ka tërhequr emigrantët që vijnë në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës.

Ditëve të fundit qyteti kishte vëmendje të shtuar, meqenëse këtë javë, më 11 maj, pritet të hiqen kufizimet kufitare të vendosura nga qeveria amerikane për shkak të pandemisë, të cilat autoritetet i kanë përdorur për të refuzuar kërkesat për azil.

Strehimorja Ozanam është e vetmja qendër që ofron strehim dhe menaxhon emigrantët e liruar nga paraburgimi.

Në qendër mund të strehohen 250 persona, por shumica e atyre që vendosen, largohen nga aty në të njëjtën ditë.

Javëve të fundit, për shkak të shtimit të numrit të emigrantëve në pikat kufitare, qyteti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa burimet lokale, shtetërore dhe federale koordinuan reagimin humanitar.

Ky është rasti i dytë që tronditi Teksasin gjatë fundjavës. Të shtunën, një person i armatosur, 33 vjeçar, vrau tetë persona dhe plagosi të paktën shtatë të tjerë, në një sulm me armë në një qendër tregtare.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika