Prokurorja Ardita Beqiri-Hyseni ka deklaruar se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit tragjik në Malishevë, ku humbën jetën një burrë dhe dy fëmijët e tij, duke theksuar se hetimet janë në fazë fillestare.
Sipas saj, të gjitha njësitet përkatëse ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat e këtij rasti të rëndë.
Ajo shtoi se deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara lidhur me shkakun e zjarrit, përfshirë raportimet se ai mund të jetë shkaktuar nga një bombol gazi.
“Shkaqet akoma nuk dihen, mirëpo të gjitha njësitet janë në vend ngjarje… nuk kemi informacion deri më tani për këtë (se është raportuar se zjarri ka ardhur nga një bombol gazi)”, ka thënë Beqiri-Hyseni.
Ndërkohë, drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka bërë të ditur se viktimat janë një burrë rreth 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në një banesë kolektive në lagjen “Mirdita” të Malishevës, ndërsa policia është njoftuar rreth orës 12:55.
