Duart nuk i shtrënguan por ballë për ballë u ulën për herë të fundit me 21 nëntor.

Ndonëse pa një marrëveshje, takimi ndërmjet  kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel,  në këtë datë solli vetëm shtyrjen e gjobave për targat serbe.

E nga ajo ditë, ani pse takim u paralajmërua nga kryediplomati evropian Josep Borell, zyrtarisht ende nuk ka ndonjë datë për këtë.

Të paktën për këtë nuk kanë dhënë detaje gjatë së martës, as nga Qeveria e Kosovës e as nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë -Serbi.

Moscaktimi ende i një date, sipas njohësve të çështjeve politike ka disa arsye.

“Pas arritjes së marrëveshjeve për targa, përgjegjësia i takon Borellit pasi tha se do të ketë një takim të tillë,  por nuk ndodhi. Kemi parë tempon e ngadalshme të takimeve dhe kjo, ka  zvarritur dialogun. Ndoshta janë ndryshimet në planin,  franko-gjerman ajo që po e zvarritë një takim por kjo nuk duhet të jetë arsye. Kemi dhe krizën e barrikadave’, ka thekuar  profesori Seb Bytyçi

Arsye tjetër sipas Arton Muhaxhiri, mund të jetë edhe mos rezultati nga takimet e mbajtura deri tash.

“Nëse investohet shumë në një takim dhe pastaj s’ka rezultate,  atëherë të gjitha palët dalin humbëse. Me gjithë këtë presion duhet të ketë rezultate të prekshme dhe në momentin kur s’ka marrëveshje dhe realizim konkrete në Bruksel atëherë cdo takim është I kotë dhe humbje kohe. Ideja është që të kemi takime të frytshme”, ka deklaruar Artan Muhaxhiri-Analist.

Palët vazhdojnë të kenë qëndrime krejtësisht të kundërta në procesin e dialogut e veçanërisht në marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilën Serbia kërkon me ngulm që të zbatohet, e Kosova thotë se kjo nuk do të ndodh.