Ish-punëtorët e sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë bllokuar derën e administratës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), duke kërkuar përgjigje nga drejtori Elvir Azizi lidhur me premtimin për rikthimin e tyre në punë.

Afati i premtuar për zgjidhje ka qenë data e sotme, por deri tani nuk është dhënë asnjë deklarim publik nga drejtori Azizi.

Siç raporton gazetarja në terren e TV Dukagjinit, Dea Dedinca, në një përgjigje për televizionin, Azizi nuk ka pranuar të japë detaje, duke kërkuar që pyetjet t’i drejtohen Zyrës për Media të SHSKUK-së.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, disa ditë më parë kishte dhënë garanci se ish-punëtorët do të rikthehen në punë brenda këtij afati.

Por as nga Ministria nuk ka pasur ndonjë sqarim për zhvillimet e fundit, dhe ministri Vitia sot nuk është parë pranë punëtorëve.