Ende të paqarta motivet e vrasjes së 30-vjeçarit në Podujevë dhe plagosjes së gruas

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në qytetin e Podujevës, ku një person 30-vjeçar është vrarë dhe gruaja e tij është plagosur në rrugën "Zahir Pajaziti" të këtij qyteti. Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin, ndërsa motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta

Pamje nga vendi i ngjarjes, Podujevë.

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur të hënën, më 11 shtator, në qytetin e Podujevës, ku një person 30-vjeçar është vrarë, ndërsa gruaja e tij është plagosur.

Rastin tragjik e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, gjersa motivet e rastit ende nuk dihen.

“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur”, ka njoftuar të hënën zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Nga policia kanë deklaruar se po vijojnë punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.

Si ndodhi ngjarja?

RTV Dukagjini ka mësuar se e gjithë ngjarja e rëndë në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë kishte ndodhur në sytë e fëmijës së tyre katërvjeçar.

Xhaxhai i viktimës tregon se i ndjeri nuk ka pasur probleme më herët dhe se me të njëjtin ishte parë në mëngjes.

“Kanë qenë në mëngjes tek unë, kemi pi kafe me të dhe gruan e tij, më vonë shkuam te shtëpia e tij, më thirrën të shkoj deri në market të blej harq për shtëpi, unë dola deri në qytet. Nuk e di për çka u kon vrasja, nuk na ka tregu që ka pasë me dikë problem. Allahu e di qysh do të kryhen këto raste, nuk kanë pasë probleme më herët, edhe bashkëshortja është e familjes së mirë, edhe atë e kanë rrok plumbat, djali 4-vjeçar ka qenë afër tyre në momentin e ngjarjes”, ka deklaruar xhaxhai i viktimës.

Bashkëshortja e viktimës e cila ka mbetur e plagosur, është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Në momentin kur kemi arrit në vend të ngjarjes, personi që ka qenë i shtrirë me gjakderdhje prej koke ka pas plagë me armë zjarri, ka qenë pa shenja jete. Ndërsa personi tjetër, femër, është plagosur me armë zjarri në bark në anën majtë, këtë e kemi dërguar me shpejtësi në Prishtinë, me shenja jete, momentalisht është në gjendje të rregullt, vazhdon trajtimi atje”, ka bërë të ditur Bedri Hyseni nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Aktualisht, Policia e Kosovës po vazhdon ta hetojë rastin, mirëpo ka thënë se nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar.

“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në ndriçimin e rastit.

“Me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Aktualisht, Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Kjo është vrasja e dytë për të cilën policia ka raportuar vetëm brenda muajit shtator.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika