Ish Presidenti Hashim Thaçi ka rikujtuar momentet para nisjes për në Hagë më 5 nëntor 2020, duke përshkruar ditën si emocionalisht të ngarkuar për të dhe familjen e tij.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziu, ai tregoi se mëngjesin e asaj dite kishte njoftuar familjarët për mundësinë e udhëtimit drejt Hagës, duke përshkruar reagimin e tyre si të dhimbshëm, por mbështetës.
“Nata kaloi shpejt. Më 5 nëntor 2020, në mëngjes i tregova Lumes dhe Endritit, i thirra edhe prindërit e u thashë ‘po thonë që edhe unë duhet të shkoj në Hagë’. U mërzitën shumë, më porositën ‘ruaje shëndetin, çka të vjen prej njeriut mos u mërzit, qysh e ka shkruar Zoti’. Në ora 11:00 mbajta konferencë me gazetarët”.
Thaçi rrëfeu edhe momentet e ndarjes me bashkëpunëtorët dhe familjen, duke theksuar emocionet e forta të asaj dite.
“Mesazhi kryesor ishte ‘jo lamtumirë, por mirupafshim’. Rikthehem në zyrë. Bashkëpunëtorët dhe stafi i administratës dukeshin të mërzitur. Bëmë disa fotografi, më përcollën me duartrokitje e lot në sy. Endriti më ishte ngjitur për trupi, ishte i fundit me të cilin u ndava përqafueshëm”, ka thënë Thaçi.