Autoritetet shëndetësore në Republikën Demokratike të Kongos kanë njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara me virusin Ebola ka arritur në 3,075 që nga shpërthimi i epidemisë më 15 maj.
Sipas raportit të fundit zyrtar, deri më tani 1,354 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit. Bëhet fjalë për shpërthimin e 17-të të Ebolës në vend, i shkaktuar nga varianti Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik.
Ebola është një sëmundje virale që shkakton ethe hemorragjike dhe konsiderohet ndër më vdekjeprurëset. Gjatë pesë dekadave të fundit, ajo ka shkaktuar mbi 15,000 viktima në kontinentin afrikan.
Shpërthimi më i rëndë i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos u regjistrua në periudhën 2018–2020, kur u konfirmuan rreth 3,500 raste dhe afro 2,300 persona humbën jetën.