Erblin Ademi pas 27 vitesh: Po afrohemi drejt zbardhjes së fatit të grupit të intelektualëve

Erblin Ademi, familjar i njërit prej 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i intelektualëve”, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me gërmimet në zonën e Zubin Potokut.

Ademi ka thënë se për 27 vite ka zgjedhur të mos flasë publikisht për rastin e babait të tij dhe 22 personave të tjerë të zhdukur, por zhvillimet e fundit e kanë shtyrë ta thyejë heshtjen.

“Për 27 vite kam zgjedhur të mos flas publikisht për rastin e babait tim dhe të grupit prej 23 personave të zhdukur, të njohur si grupi i intelektualëve. Zhvillimet dhe lajmet e fundit më kanë shtyrë ta thyej këtë heshtje”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka thënë se kjo periudhë është e mbushur me dhimbje, por edhe me shpresë se më në fund mund të zbardhet e vërteta për fatin e tyre.

“Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.

Ademi ka treguar se babai i tij ishte kirurg dhe një mjek i respektuar, i cili gjatë luftës kishte ndihmuar në trajtimin e të plagosurve.

“Babai im ishte kirurg, një mjek i njohur dhe shumë i respektuar, i cili ia kushtoi jetën shpëtimit të njerëzve. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm në mjekësi, gjatë luftës ai ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se familjet e të zhdukurve për gati tri dekada kanë jetuar me pasiguri dhe dhimbje, pa e ditur vendndodhjen e trupave të më të dashurve të tyre.

“Të jetosh për gati tri dekada pa e ditur ku prehet njeriu yt më i dashur është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë”, ka deklaruar Ademi.

Sipas tij, që nga paslufta kanë ekzistuar informacione se grupi ishte vrarë në atë zonë, ndërsa arrestimi i të dyshuarve dhe nisja e gërmimeve mund të çojnë drejt zbardhjes së së vërtetës.

“Pas arrestimit të personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë krim dhe fillimit të gërmimeve, duket se më në fund po afrohemi drejt zbardhjes së së vërtetës”, ka thënë ai.

Ademi ka kërkuar që procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të zhvillohet me profesionalizëm dhe sipas procedurave ligjore.

“Presim që të respektohen të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, duke u bërë identifikimi zyrtar i mbetjeve mortore me profesionalizëm dhe dinjitet”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se krahas zbardhjes së fatit të të zhdukurve, familjet kërkojnë edhe drejtësi për krimin e kryer.

“Po aq e rëndësishme sa zbardhja e së vërtetës është edhe vendosja e drejtësisë. Ne jemi këmbëngulës që të gjithë autorët e këtij krimi, të gjithë ata që urdhëruan, morën pjesë, fshehën këtë masakër apo mbrojtën përgjegjësit, të përballen me drejtësinë”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka thënë se shpreson që ky proces të sjellë përgjigje edhe për familjet e tjera që ende kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur.

“Babai im nuk do të kujtohet vetëm për mënyrën se si u nda nga jeta, por mbi të gjitha për mënyrën se si jetoi. Ai ishte një njeri që shpëtonte jetë, një mjek i përkushtuar dhe një baba i dashur”, ka përfunduar Erblin Ademi.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika