Erdogan: Bota duhet ta pranojë realitetin e dy shteteve në Qipro
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një vizite zyrtare në Qipron Veriore, ka theksuar edhe një herë qëndrimin e Ankarasë për një zgjidhje me dy shtete në ishullin e Qipros, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të njohë ndarjen de facto të territorit. “Në mbështesim plotësisht një zgjidhje që bazohet në realitetin e […]
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një vizite zyrtare në Qipron Veriore, ka theksuar edhe një herë qëndrimin e Ankarasë për një zgjidhje me dy shtete në ishullin e Qipros, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të njohë ndarjen de facto të territorit.
“Në mbështesim plotësisht një zgjidhje që bazohet në realitetin e dy shteteve”, deklaroi Erdogan gjatë ceremonisë që përkujtoi 51-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake turke në Qipro në vitin 1974.
“Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të bëjë paqe me faktet në terren”, shtoi ai.
Qiproja ka mbetur e ndarë që nga viti 1974, pas një grushti shteti të mbështetur nga junta ushtarake e Greqisë, i cili çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në pjesën veriore të ishullit. Në vitin 1983, në këtë territor u shpall Republika Turke e Qipros Veriore, një entitet që njihet vetëm nga Turqia.
Vizita e Erdoganit ndodhi vetëm pak ditë pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili e cilësoi si “konstruktive” serinë e takimeve mes përfaqësuesve greko-qipriotë dhe turko-qipriotë në selinë e OKB-së në New York. Megjithatë, sipas Guterres, disa çështje mbeten të pazgjidhura, përfshirë edhe funksionimin e pikave të kalimit në ishull.















