Erdogan njofton se zgjedhjet do të mbahen më 14 maj

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur 14 majin si datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale në vend, duke konfirmuar se votuesit turq do të shkojnë në qendrat e votimit një muaj më herët sesa kishin votuar më parë.

Njoftimi u bë të shtunën gjatë një konference në provincën veriperëndimore të Bursës. Në një video të ngjarjes të publikuar të dielën, Erdogan, i cili po kërkon rizgjedhjen, dëgjohet duke thënë: “Falënderoj Zotin që jemi të destinuar të ndajmë rrugën tonë me ju, rininë tonë të vlerësuar, që do të votojë për herë të parë në zgjedhjet që do të mbahen më 14 maj”.

Erdogan fillimisht kishte lënë të kuptohet se zgjedhjet do të mbaheshin më 14 maj, por tha se thirrjen zyrtare do ta bëjë më 10 mars, pas së cilës Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë do të përgatitet për zgjedhjet.

Erdogan, 68-vjeç, ka qenë në detyrë që nga viti 2003, fillimisht si kryeministër dhe më pas, që nga viti 2014 si president, por këtë vit ai pritet të përballet me zgjedhje të vështira, teksa vendi po lufton me inflacionin në rritje dhe një ekonomi të trazuar.

Nuk është ende e qartë se cili kandidat do të kandidojë zyrtarisht kundër tij, por sondazhet e opinionit tregojnë se Erdogan është prapa disa sfiduesve të mundshëm.

Nëse asnjë kandidat nuk siguron më shumë se 50 për qind të votave, raundi i dytë i votimit do të mbahet më 28 maj.

Zgjedhjet e këtij viti duhej të mbaheshin më 18 qershor, por anëtarët e Partisë AK në pushtet (AKP) sugjeruan zhvendosjen e datës për të shmangur një koincidencë me verën dhe festat fetare, shkruan Euronews.

Ndryshe, më 18 janar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sinjalizoi se synon që të shpallë datën e zgjedhjeve për 14 maj. Këto zgjedhje po konsiderohen më të rëndësishmet në gjenerata.

Ky njoftim hap mundësinë që Erdogani të vazhdojë stilin e sundimit islamik për të tretën dekadë ose shteti të kthehet në një drejtim më laik dhe potencialisht më të parashikueshëm.

Erdogan e ka larguar Turqinë nga tradita më laike e vendosur një shekull më parë nga themeluesi i shtetit, Mustafa Kemal Ataturk.

Mbështetësit e tij, siç shkruan REL, kanë thënë se ai u ka dhënë zë të margjinalizuarve dhe ka krijuar një klasë të mesme prosperuese në shtetin prej 85 milionë banorësh.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika