Erdogani kërkon që Rusia të mos “margjinalizohet” në ujdinë për drithërat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thirrur për "mosmargjinalizimin" e Rusisë në bisedimet për eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje të dielën që Rusia të mos “margjinalizohet” në bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje të rëndësishme për eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

“Asnjë proces që e margjinalizon Rusinë në iniciativën e Detit të Zi për drithërat nuk do të jetë i zbatueshëm”, tha Erdogani për gazetarë në mbyllje të samitit të G20-ës në Nju Delhi më 10 shtator.

Ai njoftoi për një takim të ardhshëm rreth kësaj çështjeje në mes të përfaqësuesve nga Rusia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara (OKB), pa treguar datën dhe vendin e saktë të takimit.

OKB-ja dhe Turqia e ndërmjetësuan marrëveshjen për drithërat vitin e kaluar, e cila mundësonte kalimin e sigurt të anijeve civile përmes Detit të Zi, por ajo dështoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.

Që prej atëherë, Rusia i ka sulmuar vazhdimisht portet dhe infrastrukturën e Ukrainës. Kievi i ka cilësuar këto sulme si përpjekje cinike të Rusisë për t’ia dëmtuar asaj eksportin dhe për ta minuar sigurinë e ushqimit global.

Një sulm rus me dronë të hënën e goditi një qendër të eksportit të drithërave në lumin Danub, thanë zyrtarët, duke shtuar se u dëmtuan depot dhe pajisjet bujqësore si pasojë.

Pak orë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua me Erdoganin në Soçi, duke dhënë shpresa se ata mund ta ringjallin marrëveshjen.

Erdogani tha pas takimit se beson se mund të gjendet një zgjidhje shumë shpejt për marrëveshjen për drithërat.

“Mendoj se është e mundur të kemi përparim. Si Turqi, ne besojmë se do ta arrijmë një marrëveshje e cila do t’i përmbushë pritjet në një kohë të shkurtër”, theksoi ai.

Ndërkohë, Putini tha se Rusia është e “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi, raporton REL, përcjell Dukagjini.

Shija e redaktorit

Rama: Mirëmengjes me përulje e nderim për Afrim Bunjakun

“MIRËMËNGJES me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrë”. Kështu ka shkruar kryeministri  Shqipërisë...

Tragjedia e 24 shtatorit, sulmi terrorist dhe vrasja e policit...

Këtë të hënë, më 25 shtator, u vendos të shpallet ditë zie shtetërore, derisa i gjithë vendi u trondit nga një sulm terrorist. Tragjedia vazhdoi...

Nora Gjakova, e artë në Grand Slamin e Bakusë

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, ka fituar medaljen e artë ne Grand Slamin e xhudos, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit Gjakova e mposhti gjeorgjianen...

Të fundit nga rubrika