I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar “hap të vështirë, por të domosdoshëm” kërkesën e institucioneve të Kosovës ndaj Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

“Dëshiroj të përmend që është vendim i vështirë, por i rëndësishëm i institucioneve të Kosovës për Manastirin e Deçanit”, ka thënë Escobar.

“Autorët e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë”

Emisari amerikan ka shprehur shqetësimet e tij për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe ka kërkuar autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë.

“Patëm një bisedë të sinqertë lidhur me gjendjen e sigurisë, jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit, ftojmë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari për sulmin”, ka vijuar ai.

“Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet”

Tutje Escobar ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, ka theksuar ai.

Gjatë vizitës së tij, Escobar pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar për çështjen e dinarit serb.

Qeveria i jep dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit