Escobar i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive dhe fleksibile para takimit në Ohër

Dy ditë para takimit në Ohër që pritet të mbahet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, emisari amerikan, Escobar ka thënë se formimi i Asociacionit është më afër se sa ishte një muaj më parë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në konferencë për media

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi pozitivisht ndaj pyetjes nëse pas vizitës së tij dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, në Serbi, mund të thuhet se formimi i Asociacionit është më afër se sa ishte një muaj më parë.

“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.

Escobar tha se Asociacioni është një marrëveshje ekzistuese dhe një detyrim ndërkombëtar që duhet të zbatohet, pavarësisht a do të ketë një marrëveshje të re apo jo.

Ai u bëri thirrje palëve nga Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive dhe fleksibile përpara takimit në Ohër që do të mbahet më 18 mars.

“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë për shtyp në Beograd, shkruan REL.

Escobar foli në Beograd dy ditë para rundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.

Ai tha se ShBA-ja do që të dyja palët të jenë serioze në kërkimin e këtyre mundësive dhe të gjejnë një mënyrë për të qenë fleksibile dhe konstruktive, për të shfrytëzuar këtë mundësi që të ofron jo vetëm Evropa, SHBA-ja, por edhe komuniteti transatlantik.

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Escobar theksoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por ai përsëriti qëndrimin e SHBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.

“Kjo nuk ka të bëjë me këtë”, u shpreh ai.

Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.

“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda shteteve në Kosovë dhe Serbi se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.

Ai përsëriti se mundësitë ekonomike janë specifike për Ballkanin Perëndimor, mundësi të cilat do të rriteshin nëse të gjashtë vendet janë në rrugën evropiane.

“Ky do të jetë fokusi ynë”, tha Escobar.

Mundësia që të dyja palët t’i shohin përfitimet e kësaj marrëveshjeje, e cila sjell marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, është shumë e madhe, tha Escobar dhe shtoi se “kjo është ajo që më së shumti u nevojitet serbëve në Kosovë”.

“Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.

Sipas Escobarit, pozita e serbëve në Kosovë do të përmirësohet përmes zbatimit të marrëveshjes për Asociacionine komunave me shumicë serbe.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se në Ohër do të diskutohet edhe për pjesëmarrjen e serbëve në veri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 23 prill, si dhe për kthimin e tyre në institucionet e Kosovës.

“Unë do të doja të shihja se çfarë mund të bëjmë në Ohër për ta arritur këtë”, tha ai.

Serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa serbe në ato të Kosovës.

Escobar tha se pret nga Kosova që një nga modelet e propozuara të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, të jetë model për Asociacionin.

“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të shkaktoj një konfrontim apo ta paraqes atë si një sfidë. Fakti është se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit… do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë. Pjesa e dytë, cili model do të zbatohet. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t’u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe”, u shpreh Escobar.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

Megjithatë, ai nuk deshi të flasë se çfarë mund të ndodhë nëse Ohri nuk jep rezultate.

Në takimin e 18 marsit në Ohër pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.

SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Washingtoni, po ashtu, mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.

Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika