Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online të organizuar nga “Atlantic Council” ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të implementohet.

“Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në – dhe pikërisht për shkak se ne e mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet”, ka thënë Escobar.

Escobar ka përshëndet marrëveshjen e fundit të arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Unë e konsideroj të rëndësishme për uljen e tensioneve marrëveshjen e arritur nga Serbia dhe Kosova për targat javën e kaluar. Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë që në vend që të punojmë për çështje individuale që krijojnë tensione, të gjitha këto çështje duhet të jenë pjesë e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, tha ai.

I pyetur nëse SHBA-ja do të marrë udhëheqjen e procesit të dialogut, ai ka thënë se nuk beson që një gjë e tillë do të ndodhë.

“Dialogu duhet të zhvillohet në BE, të dyja shtetet kanë aspirata drejt pranimit në BE. Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët evropianë”, ka thënë Escobar.