Escobar: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet zhvillimin historik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe ka kërkuar që Asociacioni të themelohet deri në fund të verës. Sipas Escobar-it, marrëveshja e Ohrit është për normalizimin e marrëdhënieve në kushtet […]
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet zhvillimin historik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe ka kërkuar që Asociacioni të themelohet deri në fund të verës.
Sipas Escobar-it, marrëveshja e Ohrit është për normalizimin e marrëdhënieve në kushtet evropiane, e cila krijon një marrëdhënie paqësore e të qëndrueshme dhe të parashikueshme midis dy shteteve fqinje.
“U desh shumë guxim politik si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për të arritur atë marrëveshje”, ka theksuar Escobar.
Më tej, ai ka shtuar se marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme.
“Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian (Josef) Borrell ka thënë se [marrëveshja] është ligjore dhe ligjërisht e detyrueshme. Dhe të dy liderët e konfirmuan atë. Tani çështja është se si të zbatohet plotësisht”, ka deklaruar Escobar.
Escobar ka thënë se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe se beson se të dy liderët mund të tregojnë guximin politik të nevojshëm për të hedhur hapat e duhur.
“Në Serbi janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave të tjera. Dhe Kosova pritet të formojë Asociacion e Komunave me shumicë serbe. Na vjen keq, kjo nuk është një pritje. Është detyrim”, ka thënë Escobar.
Ai tha se SHBA-ja dëshiron që këto procese të zhvillohen sa më shpejt.
“Nuk shoh asnjë arsye pse nuk mund të përfundojë deri në fund të verës”, ka përfunduar Escobar për mediumin Mina, përcjell Dukagjini.















