Escobar: Kosova të përmbushë kërkesat për targat dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë se Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen e ndryshimit të targave të makinave në RKS dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe gjersa ka theksuar se Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është […]





I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë se Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen e ndryshimit të targave të makinave në RKS dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe gjersa ka theksuar se Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Escobar e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës, aty ku tashmë institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë duke qenë se këta të fundit bojkotuan ato.
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, ka deklaruar ai.
Sipas Escobar, tashmë është koha për më shumë dialog, aty ku ai nuk ka mohuar qartësinë e SHBA-ve përgjatë procesit.
“Ne kemi qenë po ashtu shumë të qartë me palën serbe se pajtohemi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në rendin e ditës. Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”, tha Escobar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës. Lidhur me këtë, Escobar nuk është pajtuar.
“Jo nuk mendoj që është kështu. Mendoj se reagimi është në atë se çfarë po ndodhë në terren. Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”, ka deklaruar ai.
Ndonëse pritet të ketë zgjedhje në SHBA, Escobar ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshim të qasjes amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.




















