Escobar rithekson: Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë në Kushtetutën e Kosovës

I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Takimi i thirrur nga i dërguari evropian për bisedimet Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë, thotë për Zërin e Amerikës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Emisari amerikan foli edhe një herë për Asociaiconin e Komunave me shumicë serbe, ku ritheksoi se duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ai tha se BE u ka dhënë kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, 16 modele evropiane të Asociacionit, që sipas tij, do të funksiononin për Kosovën.

Escobar theksoi se “në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij”.

“Nuk ka përse të presë për këtë. Nuk duhet të presë për këtë. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale. Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo”, ka thënë Escobar.

Po ashtu, Escobar ritheksoi edhe një herë atë që e ka thënë në intervistën e kaluar, se ShBA vazhdimisht ka qenë në anën e Kosovës, edhe kur Serbia ka kundërshtuar.

Sipas tij, në ShBA ka shembuj kur Qeveria amerikane i ka braktisur godinat për shkak të zjarreve, përmbytjeve, Covid19 e edhe për shkak të protestave.

Një gjë të tillë, sipas tij, ka mundur ta bëjë edhe Kosova me kryetarët e tyre në veri.

“Mendoj se ky është keqinformim. Lejomëni ta paraqes kështu: Gjithçka që kemi bërë gjatë 90 ditëve të fundit ka qenë për të mirën e Kosovës, gjithçka. Pra, mbështetëm Këshillin e Evropës. Pamë nevojën për zgjedhje të reja. I mbështetëm ato. I mbështetëm megjithëse Serbia ishte kundër tyre. Ne njohim rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse patën vetëm 3% pjesëmarrje. Serbia donte që t’i shpallnim të paligjshme. Serbia donte që ne të mos njihnim autoritetin e kryetarëve. Ne i njohëm. Kur kryetarët u inauguruan, për ne ata ishin kryetarë”, ka thënë ai.

“Tashmë gjendemi në pozicionin e vështirë kur këta kryetarë nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë komunitetet ku janë kryetarë. Prandaj, na duhen zgjedhje të reja. Por në të njëjtën mënyrë, ne pranuam se këta kryetarë kanë autoritetin ligjor për të vazhduar funksionet komunale. Kishim kërkuar megjithatë një gjë, që Kosova të mos përpiqej të merrte kontrollin e godinave komunale me forcë. Unë kam qenë pjesë e qeverisë federale amerikane që në moshën 19-vjeçare. E kam parë qeverinë amerikane të braktisë godina për shkak të zjarreve dhe përmbytjeve dhe së fund mi COVID-it dhe madje edhe për shkak të protestave, por askush nuk vuri ndonjëherë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë amerikane. E vetmja gjë që kërkuam nga Qeveria e Kosovës është të mos rrisë tensionet, duke u përpjekur të shkojë atje me forcë. E megjithatë ata vepruan kështu. Pra, nga njëra anë, gjithçka që kemi bërë, ka njohur legjitimitetin e Kosovës. Kemi mbajtur gjithnjë anën e tyre për të gjitha këto mosmarrëveshje”, ka vijuar ai.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika