Escobar: Zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit duhet të nisë menjëherë

Zyrtari i lartë amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të fillojë me hartimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar ka thënë të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, e cila do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

“Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ai.

Zyrtari i lartë amerikan ka deklaruar se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë, ai ka thënë se duhet të nisë t’i njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ai.

Escobar e ka cilësuar marrëveshjen si “historike”, dhe ka thënë se do t’i ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

I pyetur se cili është modeli më i mirë evropian që mund të përdorej si shembull për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar ka thënë se kjo i përket popullit të Kosovës të vendosë në bisedë me Serbinë.

“Por, ne besojmë se duhet të jetë një që i shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu duhet të jetë një Asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj. Brenda kësaj ka shumë modele dhe shumë opsione dhe ne shpresojmë se do të kemi bisedime me të dyja palët që të mund të arrijmë, jo vetëm te një opsion i përbashkët, por te një opsion atraktiv”, ka deklaruar Escobar.

Kosova dhe Serbia, më 27 shkurt, u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim.

Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Në rundin e dialogut që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobar.

Propozimi evropian për normalizim që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

BE-ja, së fundmi, i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së që nga 2011. Kosova kërkon që në fund marrëveshja ta përfshijë njohjen reciproke, kurse Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika