“Është përgjegjësia juaj” – Kos u kërkon shteteve të Ballkanit t’i zbatojnë reformat për fondet
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, zhvilloi sot në Shkup një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes së BE-së, i cili kap vlerën prej 6 miliardë eurosh. Në këtë takim mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Marta Kos u […]
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, zhvilloi sot në Shkup një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes së BE-së, i cili kap vlerën prej 6 miliardë eurosh.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Marta Kos u bëri thirrje liderëve që të marrin përgjegjësinë për zbatimin e reformave në mënyrë që qytetarët e vendeve të tyre të përfitojnë nga ky plan.
Ajo theksoi se Plani i Rritjes sjell përfitime sociale dhe ekonomike që para anëtarësimit në BE, nëse shtetet i përmbushin kriteret.
“Përdorni këtë dritare të mundësisë. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe jemi duke parë përkushtim të vërtetë për zgjerimin në kryeqytetet evropiane dhe për të ndërtuar një Evropë të fortë dhe që merr kontrollin e të ardhmes së saj… Plani i Rritjes sjell benefite sociale për qytetarët para pranimit në BE… Kjo është përgjegjësia juaj që të implementohet për benefitet e shtetasve tuaj dhe bizneseve dhe sigurisht BE-ja do të ndihmojë”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo theksoi se tashmë ka nisur faza e implementimit, ku disa shtete – përveç Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të parafinancimit.
Sipas saj, kjo fazë kërkon përkushtim të shtuar dhe realizim të reformave të premtuara.
“Paratë janë të disponueshme deri në fund të vitit 2027. Nëse nuk përdoren, ato do të kthehen në buxhetin e përgjithshëm të BE-së. Do të preferoja që deri në euron e fundit të shpenzohej për shtetet kandidate, jo të kthehej në Bruksel”.
Kosova vonohet për shkak të Kuvendit
Nga fondi prej 6 miliardë eurosh, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, një pjesë si grante, pjesa tjetër si kredi.
Por për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve financiare në Kuvend, vendi nuk ka mundur t’i tërheqë mjetet.
BE-ja pret që Kosova të përmbushë obligimet ligjore dhe të ecë përpara me reformat, në mënyrë që të mos mbetet pas vendeve të tjera të rajonit.















