ETEA: Kopjimi në provimin e maturës krijon besim të rremë mbi dijen e nxënësve
Një raport analitik i publikuar të premten nga Organizata ETEA, ka theksuar se rezultatet e provimit në masë të madhe nuk reflektojnë vërtetësinë e dijeve dhe aftësive të nxënësve, por shpesh krijojnë një besim të rremë për performancën e tyre akademike. Raporti vë në dukje se nota mesatare e nxënësve është shumë e lidhur me […]
Një raport analitik i publikuar të premten nga Organizata ETEA, ka theksuar se rezultatet e provimit në masë të madhe nuk reflektojnë vërtetësinë e dijeve dhe aftësive të nxënësve, por shpesh krijojnë një besim të rremë për performancën e tyre akademike.
Raporti vë në dukje se nota mesatare e nxënësve është shumë e lidhur me performancën në Provimin e Maturës Shtetërore, gjë që minimizon rëndësinë e vlerësimeve të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse të bëra nga mësimdhënësit gjatë tri viteve të shkollimit të mesëm të lartë.
Sipas organizatës, provimi që zgjat 2 orë e 30 minuta, nuk mund të kapë plotësisht thellësinë dhe gjerësinë e aftësive dhe njohurive të nxënësve sipas raportit.
Po ashtu, në raport theksohet se kopjimi dhe manipulimi në Provimin e Maturës Shtetërore përbën një problem sistemik, i nxitur nga toleranca dhe inkurajimi i administratorëve dhe mbikëqyrësve.
“Nxënësit me notë mesatare të lartë shpesh përballen me stres dhe ankth gjatë provimit, ndërsa ata me notë mesatare të ulët shpesh përdorin praktika të kopjimit për të arritur rezultate të larta, çka sjell në pikëpyetje vlerën e vërtetë të rezultateve”.
Në gjetjet e këtij raporti thuhet se mësimdhënësit dhe nxënësit kanë ngritur kritika ndaj peshës së Provimit të Maturës Shtetërore në procesin e pranimit në institucionet e arsimit të lartë, duke propozuar një përqasje më të madhe të notës mesatare të shkollës së mesme si kriter në vlerësimin e kandidatëve.
Ata gjithashtu kanë shfaqur shqetësime në lidhje me validitetin e pyetjeve të provimit, duke theksuar se ato nuk përputhen gjithmonë me kurrikulën dhe mësimet e zhvilluara në shkollat e mesme të larta.
Gjithashtu, raporti ka dokumentuar se një pjesë e administratorëve dhe studentëve mbikëqyrës kanë ndërhyrë në provimin e maturës shtetërore të vitit 2024 me kopjim dhe ndihmë të paautorizuar për maturantët, një fenomen që vazhdon të shqetësojë integritetin e procesit.
Në përfundim, raporti thekson nevojën për një rishikim të thellë të sistemit të provimit të maturës shtetërore për të siguruar një vlerësim më të drejtë dhe të sinqertë të aftësive të nxënësve.















