Të dielën, 16 qershor, priten të luhen tri ndeshje në kampionatin evropian UEFA Euro 2024.
Në orën 15:00, Polonia do të përballet me Holandën.
Ndeshja Poloni – Holandë i takon Grupit D të Evropianit në Gjermani dhe zhvillohet në Hamburg.
Robert Lewandowski është lënduar ditë më parë dhe do të mbetet në stol. Ai pritet të jetë gati për ndeshjen e dytë.
Në orën 18:00, do të zhvillohet ndeshja midis Sllovenisë dhe Danimarkës, e para e Grupit C të “Euro 2024’’. Ndeshja do të zhvillohet në Stuttgart.
Sllovenia, që ka treguar përmirësime të mëdha në vitet e fundit, do të kërkojë të befasojë Danimarkën, një nga skuadrat më të forta në Evropë.
Danezët ishin më lartë se sllovenët në grupin e fortë kualifikues për “Euro 2024’’. Të dy përfaqësueset i kishin nga 22 pikë dhe u kualifikuan direkt.
Mbrëmjen e së dielës, në orën 21:00, Anglia do të ndeshet me Serbinë.
Anglia, me yjet e saj të shumtë në Premier League të kërkojë të vazhdojë suksesin e saj në këtë kampionat.
Duke përjashtuar penalltitë, Anglia ka humbur vetëm një prej 18 ndeshjeve të fundit në Kampionate Evropiane.
Në Evropianin e kaluar anglezët u mposhtën në finale nga Italia, pas gjuajtjes së penalltive.
Shpresat e Anglisë mbështeten te Jude Bellingham, që ka kompletuar një edicion debutues shumë të mirë te Real Madridi.