Eurodeputetët në takim me Bislimin theksojnë mbështetjen për Kosovën në rrugën drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën ka pritur në takim eurodeputetët nga Parlamenti Evropian, Thijs Reuten dhe Ladislav Ilcic. Gjatë takimit, u bisedua mbi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku zëvendëskryeministri përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe nevojën për ecjen tutje në këtë proces. Siç ka njoftuar Zyra […]
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën ka pritur në takim eurodeputetët nga Parlamenti Evropian, Thijs Reuten dhe Ladislav Ilcic.
Gjatë takimit, u bisedua mbi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku zëvendëskryeministri përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe nevojën për ecjen tutje në këtë proces.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, eurodeputetët Reuten dhe Ilcic theksuan se Parlamenti Evropian e mbështet Republikën e Kosovës në objektivin e qëllimin e saj në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar dhe mirënjohjen për qëndrimin parimor e mbështetjen ndaj qasjes evropiane kundrejt agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë.
Po ashtu, gjatë diskutimit, u ngritën edhe çështje që ndërlidhen me fusha si energjia, shëndetësia, arsimi.
U adresuan dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri ritheksoi se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë.
Bislimi ka falënderuar eurodeputetët për përkrahjen e vazhdueshme të tyre dhe të Parlamentit Evropian ndaj Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Bislimi pranoi simbolikisht nga eurodeputeti Reuten, i cili ishte dhe raportues mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, penën me të cilën u nënshkrua me 19 prill të vitit të kaluar, vendimi final për procesin.
Në këtë takim, ai shoqërohej dhe nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajram.















